RRAHMAN JASHARAJ
Mosekzekutimi i pagave, Jasharaj: Qeveria të gjejë mundësi ligjore që pagat të dalin sa më shpejt
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, më 01.10.2024, ka thënë se punonjësit e arsimit janë të shqetësuar për mosekzekutimin e pagave për muajin shtator.
Në një prononcim për KALLXO.com, ai ka thënë se është lajm i keq mosekzekutimi i pagave për shkak se punonjësit e arsimit jetojnë me këto paga.
Jasharaj ka thënë se SBASHK është në komunikim me përfaqësuesit e tyre nëpër komuna dhe gjatë ditës do të dalin me reagim për këtë çështje.
“Po, ka shqetësime edhe dje edhe sot. Po presim me pas komunikime me kryetarët tonë në komuna dhe pastaj SBASHK do të dal me një komunikatë. Nuk është dashur të ndodh kjo, edhe në sektorë tjerë, por punëtoret e arsimit parauniversitar, një pjesë e madhe e tyre jetojnë me pagën që e kanë dhe një pjesë e tyre janë edhe në kredi. Kjo gjë ka mujt mos të ndodh. Konsideroj që fajtori më i madh është ministri i Financave, Hekuran Murati i cili me kohë është dashur ta ketë parasysh se mund të ndodh kjo, dhe zyrtari i Thesarit të jetë jo ushtrues detyre kaq gjatë, por në punë ashtu siç parashihet me rregullore”- ka thënë ai.
Ndërsa ka shtuar se presin që Qeveria e Kosovës të gjej mundësi ligjore që pagat të ekzekutohen sa ma shpejt që është e mundur.
KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.