Ilustrimi: Kallxo.com

Mos u mashtroni prej numërimit të hershëm të votave

Mbërritja e hershme e fletëvotimeve në shtetet amerikane të fushëbetejës së madhe zgjedhore mund të mos jetë tregues i mirë nëse kandidatja demokrate, Kamala Harris, ose rivali republikan, Donald Trump do të fitojë, thonë ekspertët, falë rregullave të numërimit të votave dhe procedurave në disa shtete kritike, raporton Reuters

Në zgjedhjet e 2020-s, disa shtete treguan një “mirazh të kuq”, në të cilin Trump ishte duke udhëhequr natën e zgjedhjeve, përpara se një “ndërrim blu” të ndikonte që demokrati Joe Biden t’ia merrte anën ndërsa numëroheshin fletëvotimet me postë të favorizuara nga më shumë votues demokratë.

Ekspertët kishin parashikuar me saktësi se do të ndodhte, por Trumpi ende e përdori ndryshimin për të përforcuar pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur.

Mund të ndodhë përsëri këtë javë, veçanërisht në Pensilvani, Miçigan dhe Wisconsin.

E kundërta – një “mirazh blu” që me sa duket tregon një rezultat të fortë për Harrisin, por me mundësi të “ndërrimit të kuq” për të ndryshuar trendin – mund të ndodhë gjithashtu këtë javë, veçanërisht në Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia.

Ekipi i fushatës së Trumpit ka thënë se ai planifikon të shpallë fitoren kur ekipi të besojë se ka siguruar 270 votat e Kolegjit Elektoral, të nevojshme për t’i fituar zgjedhjet. Kjo mund të jetë e parakohshme, varësisht prej numrit të votave dhe se prej nga vijnë ato.

Mënyra se si do të zhvillohet gjithçka do të varet nga mënyra se si dhe kur përpunohen dhe numërohen fletëvotimet e shumta me postë ose votimet e hershme në shtete të ndryshme.

Një faktor tjetër është se demokratët priren të jetojnë në zona urbane më të populluara, ku numërimi i votave zgjat më shumë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com