Komuna e Prishtines
Mori subvencion 30 mijë euro nga Kryeqyteti për gara brenda dhe jashtë vendit, por me to organizata i pagoi borxhet
Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se një organizatë joqeveritare që kishte qenë përfituese e një projekti të Komunës së Prishtinës në vlerë 30,000 euro, i ka shfrytëzuar këto fonde për të shlyer borxhet e saj të vitit 2022 dhe jo për qëllimin që ishte subvencionuar.
Sipas Auditorit, organizata përfituese në kategorinë e sportit për projektin për “Mbështetje financiare për mbarëvajtje të garave brenda dhe jashtë vendit” kishte siguruar raportin narrativ dhe financiar për shpenzimin e fondeve të përfituara.
Auditori ka potencuar se kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve në fushën e monitorimit të subvencioneve.
“Shfrytëzimi i subvencioneve nga përfituesit jo në përputhje me qëllimin e dhënë, rezulton me vlerë të dobët të parasë së shpenzuar nga komuna” – thuhet në raportin e auditimit për vitin 2023.
ZKA i ka rekomanduar të parit të Prishtinës se duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve në fushën e dhënies dhe monitorimit të subvencioneve, në mënyrë që fondet e dhëna nga komuna të shfrytëzohen vetëm për qëllimet e subvencionuara. Sipas raportit, nëse përfituesit nuk arrijnë të arsyetojnë shfrytëzimin e fondeve në përputhje me qëllimin e dhënë, të merren masa për kthimin e fondeve nga përfituesit.
Më këtë gjetje është pajtuar Kryeqyteti – Prishtina.
Përveç kësaj, Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se gjatë vitin 2023, Kryeqyteti – Prishtina subvencionoi pesë organizata joqeveritare pa publikuar thirrje publike por vetëm me vendim të Kuvendit Komunal. Sipas Auditorit, vlera e këtyre subvencioneve kap shumën 260,838 euro.
Gjetja e Auditorit bazohet te Rregullorja mbi kriteret, standardet e financimit publik të Organizatave Jo-qeveritare, në të cilën parashihet që financimi i projekteve dhe programeve të OJQ-ve bëhet sipas një thirrje publike, dhe të cilat i plotësojnë kriteret e rregullores.
Këto subvencione, thuhet në raport, kishin të bëjnë me fushën e sportit, sikurse përkrahjen e pjesëmarrjes në gara sportive, si dhe me projekte të tjera që ndërlidhen me aktivitetet në shkolla dhe me nxënësit.
“Përveç kësaj, në tri raste, marrëveshjet me OJQ ishin lidhur pas pagesës së mjeteve. Kjo kishte ndodhur për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme dhe mungesës së përgjegjësisë për zbatimin e kërkesave ligjore lidhur me subvencionimin e OJQ-ve” – thuhet në raport.
Subvencionimi i OJQ-ve vetëm me vendim të Kuvendit Komunal, pa bërë thirrje publike, sipas Auditorit, përjashton konkurrencën, transparencën si dhe ndikon në trajtimin jo të barabartë të OJQ-ve.
Kryeqyteti ka marrë opinion të pamodifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në vitin 2023. Opinioni i pamodifikuar jepet kur Pasqyrat Financiare janë në përputhje të plotë me standardet.
Raporti i auditimit i vitit 2023 ka rezultuar me 22 rekomandime, prej tyre 11 janë rekomandime të reja, tetë rekomandime të përsëritura dhe tri rekomandime pjesërisht të përsëritura. Zbatueshmëria e tyre do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërkaq, raporti i auditimit për vitin 2022 i Kryeqytetit – Prishtinës, ka rezultuar në 22 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023 nga ZKA, 11 rekomandime janë zbatuar, tri ishin në proces dhe te tetë rekomandime nuk kishte filluar zbatimi ende.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Kryeqytetin – Prishtinën mund ta lexoni në këtë LINK.