Ilustrim

Mori para me fajde për shkak të vështirësive financiare si pasojë e COVID-it, pagoi mijëra euro e mbeti prapë në borxh

Vështirësitë financiare për shkak të pandemisë Covid-19 e kishin detyruar një person që të kërkonte para me fajde.

Mijëra euro kishte marrë e ndërsa u detyrua t’i kthente gati dyfish për shkak të kamatave të cilat i kishte vendosur personi që i dha paratë me fajde.

F.G., është arrestuar nga organet e rendit me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt nën dyshimin se ka kryer veprën penale të fajdesë.

Fillimisht, i dëmtuari në këtë rast, E.A., për shkak të vështirësive financiare gjatë kohës së pandemisë COVID-19 kishte kërkuar para me fajde nga F.G.

Njoftimi i gjykatës thotë se E.A., kishte marrë para nga i pandehuri në vlerë të 4 mijë eurove me fajde ndërsa kamata kthyese do të ishte 20 përqind për çdo muaj.

Gjithashtu tutje viktima në këtë rast, E.A., në pamundësi për të kthyer shumën e kamatës për fajde ishte detyruar që të marrë edhe tri herë para me fajde nga 2 mijë euro dhe një herë 6 mijë euro.

Në total ai kishte marrë fajde nga F.G., në vlerë të 16 mijë eurove.

Për të gjitha këto para, ai ka paguar për çdo muaj nga 3 mijë e 200 euro. Brenda një viti viktima kishte paguar një shumë prej 40 mijë eurove në total me kamatën e parave që kishte marrë me fajde.

Borxhin prej 16 mijë eurove gjykata ka njoftuar se viktima nuk e kishte paguar ende.

F.G po dyshohet se ka kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona të tjerë.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshimi që F.G të ketë kryer veprën penale të fajdesë dhe me këtë rast ndaj të njëjtit ka caktuar masën e paraburgimit me kohëzgjatje prej 1 muaji.