
Vjosa Osmani dhe Donald Trump. Foto: Vjosa Osmani/X
Mori ftesë nga tre kongresmenë por nuk do të shkojë, Osmani dërgon delegacion në inaugurimin e Trumpit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump më 20.01.2025.
Presidentja Osmani do të delegojë një delegacion të kabinetit të saj, shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Washington, Ilir Dugolli.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, tha për KALLXO.com që Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara (Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve).
Mirëpo, Kupina tha se duke u bazuar në traditën protokollare, shumica e vendeve përfaqësohen në këto ceremoni nga ambasadorët e tyre të akredituar në Washington D.C, kështu që ka deleguar një delegacion nga Presidenca.
“Duke e vlerësuar këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve, Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj, i cili, së bashku me ambasadorin në SHBA, Ilir Dugolli, do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar”- tha Kupina më 18.01.2025.
Ndër të tjera, Kupina tha se presidentja Osmani tashmë ka pasur rastin ta urojë personalisht presidentin Trump gjatë një bisede përmbajtësore që zhvilluan muajin e kaluar të mbajtur në Pallatin Elysee në Paris.
“Ky angazhim i vazhdueshëm reflekton përkushtimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin me administratën e re amerikane dhe për të avancuar interesat e përbashkëta”- tha ai.
Gjatë rihapjes së Katedraljes ikonike Notre Dame në Paris, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ishte takuar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
“Ndërsa isha në Paris, ishte një nder të takoja presidentin Donald Trump dhe ta përgëzoja për fitoren e tij në emër të popullit të Kosovës. Rikonfirmova, gjithashtu, angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së, ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë.” – ka shkruar Osmani, në rrjetin social X, më 08.12.2024.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti pati deklaruar më 11.11.2024 se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me cilëndo Administratë që vjen në SHBA – pa marrë parasysh a janë demokratët ose republikanët në pushtet.
I pyetur nëse do të zhvillojë ndonjë telefonatë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, Kurti tha se “ne bashkëpunojmë me SHBA-në në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe seriozitetin tonë”.
Derisa për liderët e shtetit që konsiderohet më miqësori në raport më SHBA-në nuk dihet nëse kanë pranuar ftesë për të qenë të pranishëm më 20.01.2025 në Washington, Trump ka zgjedhur që t’i ftojë në Ceremoninë e Inaugurimit të tij jo vetëm aleatët por edhe kundërshtarët.
Zëdhënësja e republikanit Trump, Karoline Leavitt ka deklaruar në emisionin “Fox and Friends” se ftesa për liderët e botës është “një shembull i Presidentit Trump për të krijuar një dialog të hapur me udhëheqësit e vendeve, që janë jo vetëm aleatët, por edhe kundërshtarët dhe konkurrentët tanë.”
Ceremonia do të zhvillohet në Washington DC dhe shënon kalimin paqësor të pushtetit nga Bideni te Trumpi, i cili po kthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, pas një shkëputje që e pati për një mandat, ku në krye të SHBA-së qëndroi Biden.
Parada pritet të nisë nga Kapitoli i SHBA-së në Shtëpinë e Bardhë. Ngjarja do të fillojë afërsisht në orën 15:00 me kohën lokale (rreth orës 21:00 – sipas kohës sonë).
Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej presidentja e parë grua në Amerikë.
Republikani Trump 78-vjeçar ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë president.
Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Donald Trump ka qenë president i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021.
Heshtja e liderëve: Osmani e Kurti s’tregojnë a kanë marrë ftesë për inaugurimin e Trumpit