Morën peng 30-vjeçarin, Policia arreston tre të dyshuar në Durrës

Policia e Shtetit njofton se në kuadër të operacionit të koduar “Borxhi” janë arrestuar tre persona nën dyshimin se kanë marrë me forcë dhe i kanë hequr lirinë një 30-vjeçari.

Sipas njoftimit, pengamarrja ka ndodhur për shkak të një borxhi për veprimtari kriminale të kryer jashtë shtetit, në fushën e trafikimit të narkotikëve.

“Autori kryesor i pengmarrjes dhe shtetasi i marrë peng, të dy të dënuar më parë, në Britani, për krime në fushën e narkotikëve. Shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore se tre shtetas kishin marrë peng një shtetas dhe po lëviznin në zonën e plazhit, në drejtim të Shkozetit, me një automjet, kanë organizuar punën dhe falë reagimit në kohë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar”- theksohet në komunikatë.

Policia thotë se nga kontrolli ka rezultuar se në automjet ndodheshin katër shtetas, njëri nga të cilët ishte i marrë peng nga tre shtetasit e tjerë.

“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi B. H. ishte marrë dhe mbajtur pa dëshirën e tij, në automjetin tip “BMW X5”, nga shtetasit I. K., 27 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, G. C., 26 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës dhe J. D., 29 vjeç, banues në lagjen nr.14 Shkozet, Durrës”- thuhet në njoftim.

Polica bën të ditur se tre shtetasit po kërcënonin 30-vjeçarin për t’iu dhënë shumën 6 mijë paund nën pretendimin se ia kishte detyrim një prej të dyshuarve për një çështje droge.

“Këta tre shtetas po e kërcënonin shtetasin B. H., për t’iu dhënë shumën 6 000 paund, të cilën shtetasi I. K. pretendonte se ia kishte detyrim shtetasi B. H., për një çështje droge në kohën kur të dy këta shtetas kryenin dënimin për narkotikë, në shtetin britanik, në të njëjtën qeli burgu”- thotë Policia.

Pas arrestimit të tre të dyshuarve, materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.