Timur Kulibaev, dhe gruaja e tij, Dinara Kulibaeva, vajza e ish-presidentit Nursultan Nazarvbaev - Foto: atameken.kz

Monopoli i dhëndrit të Nazarbaevit në qytetin kazak

Si mundet që toka publike krejt papritur të bëhet private?

Për vite me radhë kjo pyetje ka ndjekur qytetarët kazakë të cilët kanë parë pjesë të gjelbëruara, që i përkisnin institucioneve shtetërore, të gllabëroheshin për t’i hapur rrugë ndërtimit të banesave të reja, zyrave dhe qendrave tregtare.

Përgjigja në këtë pyetje, sipas tyre, qëndron në lidhjet e elitës, dhe për pothuajse tërë 30 vjetët e pavarësisë së Kazakistanit nuk ka pasur biznesmen me lidhje më të forta sesa Timur Kulibaev, dhëndri i presidentit të parë të shtetit, Nursultan Nazarbaev.

Kulibaev është bashkëpronar i bankës më të madhe të shtetit, Halyk, së bashku me gruan e tij – vajzës së dytë të Nazarbaevit, Dinara Kulibaeva – dhe për më shumë se një dekadë ishte kryetar i Dhomës Kombëtare të Sipërmarrësve, Atameken. Çifti ka një pasuri të përbashkët prej pothuajse 8 miliardë dollarësh, sipas Forbes Kazakistan.

Po e njëjta ueb-faqe e ka listuar Kulibaevin si biznesmenin e dytë më të pasur të Kazakistanit, pasi mbretit të metaleve Vladimir Kim, një oligark që shihet si njeri shumë i lidhur me Nazarbaevin.

Por, ka pasur një rikonfigurim të elitës pas trazirave vdekjeprurëse që papritur goditën Kazakistanin në janar të vitit 2022, duke u marrë jetën të paktën 238 personave.

Nazarbaev hoqi dorë nga pozitat qeveritare dhe nga roli i tij si Lider i Kombit, duke thënë se të gjitha fuqitë tani janë në duart e personit që ai vetë zgjodhi për postin e presidentit më 2019, Qasym-Zhomart Toqaev.

Familjarët e Nazarbaevit vepruan njësojë si ai, duke humbur pozitat qeveritare dhe pozitat udhëheqëse në korporatat shtetërore. Kulibaev u largua nga posti i tij në Atameken.

Por, për dallim nga anëtarët e tjerë të familjes, ai vazhdoi të qëndrojë në skenën publike, duke marrë pjesë në një forum biznesi ku Toqaev foli në janar, dhe po ashtu mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri – ku ishte i pranishëm edhe Nazarbaevi – pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale që u mbajtën në nëntor.

Hulumtimi i ri i Radios Evropa e Lirë tregon se Kulibaev ende ka plane për zhvillime të mëdha në disa prej tokave më të dëshirueshme të qytetit më të madh kazak, Almati. Kjo pronë ishte privatizuar në rrethana ende të panjohura.

Nëse magnati mund të mbajë këtë tokë në mes të valëve të ndryshueshme politike në Kazakistan është interesante të shihet.

Nga spitali ushtarak në hotel?

Kur mijëra protestuesit dolën në rrugët e Almatit në janar të vitit të kaluar, kërkesa e tyre për largimin e Nazarbaevit nga politika “Shal ket” (Plaku jashtë), ishte e zëshme dhe e qartë.

Situata u bë e dhunshme më 5 janar, teksa rezidenca presidenciale e qytetit u bë qendër e betejës së përgjakshme midis protestuesve dhe trupave qeveritare.

Në anën tjetër të rrugës ku gjendet rezidenca presidenciale, gjendej një tokë e djegur dhe e shkatërruar nga autoritetet. Kjo pronë prej 3.8 hektarësh ishte e braktisur prej vitit 2014.

Më herët aty ishte një ndërtesë që përdorej si spital ushtarak nga Ministria e Mbrojtjes. Vendimi për të shkatërruar spitalin dhe për ta rindërtuar në periferi të Almatit më 2010 nxiti kundërshtimin e veteranëve ushtarakë në pension, dhe në të njëjtën kohë rriti dyshimet se për këtë gjë kishte marrëveshje të fshehta.

“Disa njerëz dhe struktura të caktuara kanë pasur sytë drejt kësaj toke për një kohë të gjatë. Vetëm ndërtesat me rëndësi publike duhet të jenë në sheshin qendror të Almatit”, deklaroi Seitqazy Mataev, ish-sekretar presidencial për media, njëherësh pronar i mediave.

Mataev nuk e kishte gabim.

Shërbimi i Kazakistanit i REL-it zbuloi se kompania që ndërtoi spitalin e ri, që u raportua se kushtoi 23 milionë dollarë dhe kompania që kishte në pronësi tokën përballë rezidencës presidenciale, ishte e njëjta, Dostyk Stroi (Ndërtimi i Miqësisë).

Atëbotë, kjo ngastër toke u raportua se vlente pothuajse dyfish sa vlera për rindërtimin e spitalit ushtarak. Që atëherë, vlera e kësaj toke është rritur në mënyrë të konsiderueshme.

Dostyk Stroi është në pronësi të dy kompanive: Joint Technologies dhe Kirpos. Që të dy këto kompani kanë të regjistruar Kulibaevin si pronar të tyre.

Por, si u privatizua kjo tokë?

Gjatë periudhës kur kompania e Kulibaevit mori tokën, Komuna e Almatit udhëhiqej nga Akhmetzhan Esimov, ndërkaq ministër i Mbrojtjes ishte Adilbek Zhaqsybekov.

Në mesin e shumë aleatëve të Nazarbaevit, këta të dy vlerësohen si më besnikët e familjes së ish-presidentit.

Shpesh mediat e përshkruajnë Esimovin si person me lidhje gjaku me Nazarbaevin.

Duke iu përgjigjur kërkesës së REL-it, Ministria e Mbrojtjes tha se qeverisja lokale e Esimovit fillimisht mori kontrollin e tokës, para se ajo të privatizohej.

Transferimi i pronësisë së tokës u nënshkrua më 8 nëntor 2013 nga kryeministri i atëhershëm kazak, Serik Akhmetov.

Të dhënat e regjistrit të pronave në ueb-faqen qeveritare tregojnë se në parcelën ku gjendej dikur spitali ushtarak, ishte paraparë të ndërtohej një hotel, edhe pse koha e ndërtimit të tij ishte e paqartë dhe toka mbeti e pashfrytëzuar për pothuajse një dekadë.

“Parcela me kualitet të lartë” ku hapësira është e kufizuar

Në ueb-faqe, ndërtuesi Atlas Development ka përshkruar Deniz Park, një zyrë dhe kompleks rezidencial që aktualisht është në ndërtim sipër, si “mundësi për ata që e shohin veten duke jetuar dhe punuar në hapësira me kualitet të lartë”.

Deniz Park do të përfshijë “një lobi të madh, tarraca me gjelbërim dhe hapësira për takime joformale. Territori piktoresk i kompleksit do të jetë në përputhje me hapësirën përreth në mënyrë harmonike dhe organike”.

Por, hapësira ku Deniz Park po ndërtohet dikur i përkiste Universitetit shtetëror kazak, Al-Farabi.

Dy vjet më parë u bë e ditur se dy kompanitë në pronësi të Kulibaevit, Omirex dhe Atlas Development, ishin përfitues të marrëveshjes për lëshimin me qira të 0.8 hektarëve të tokës së universitetit, për zyra dhe zhvillim rezidencial, që gjendet pranë qendrës luksoze tregtare Esentail Mall dhe hotelit Ritz Carlton.

Që atëherë, REL ka mësuar se tokë që gjendet ngjitur, prej 1.8 hektarësh është në pronësi të plotë të kompanisë së Kulibaevit, Kipros.

Kjo ngastër toke fillimisht ishte privatizuar më 2007 kur Imangali Tasmagambetov ishte kryetar i Almatit. Universiteti Shtetëror Al-Farabi i tha REL-it vitin e kaluar se për marrëveshjen ishte pajtuar Komuna, Ministria e Arsimit dhe kompania e quajtur Esentai Development.

Një ditë para se të nënshkruhej kjo marrëveshje, Zhanseit Tuymebaev u emërua ministër i Arsimit, në vend të Birganym Aitimova. Tani, Tuymebaev është rektor i universitetit.

REL-i nuk mund të gjente Esentai Development në databazën qeveritare, ku listohen kompanitë e regjistruara. Por, në të kaluar, një kompani me po të njëjti emër ishte e lidhur me Serzhan Zhumashov, i cili ka aksione në Esentai Mall dhe Qairat Boronbaev, dhëndër i Nazarbaevit që aktualisht është në burg nën akuza për përvetësim të paligjshëm.

Nuk dihet se kur dhe në çfarë mënyre toka që paraprakisht ishte në pronësi të universitetit, kaloi në pronësi të kompanisë së Kulibaevit.

Po ashtu, nuk është e qartë se sa të shqetësuara janë autoritetet lidhur me ligjshmërinë e procesit të privatizimit.

Në tetor, Komiteti shtetëror për Menaxhimin e Burimeve Tokësore në Almati i tha REL-it se kishte nisur hetim lidhur me transferimin e pronësisë së tokës, duke filluar me vizitën në Komunën e Almatit.

Dy muaj më vonë, një zyrtar i këtij komiteti i tha REL-it se aktivitetet hetuese ende nuk kishin nisur.

Komuna e Almatit i tha REL-it në janar të vitit 2023 se hapësira e tokës së transferuar nga universiteti fillimisht ishte më e madhe, rreth 6.6 hektarë. Shumica e kësaj parcele më pas iu kthye universitetit, tha Komuna, duke privatizuar vetëm 1.8 hektarë tokë.

Fati i 0.8 hektarëve që lëshohen me qira nga Atlas Development dhe Omirex, në anën tjetër, ende është i paqartë. Në gusht të vitit 2022, Komiteti për Menaxhimin e Burimeve Tokësore në Almati sfidoi në gjykatë ligjshmërinë e kësaj marrëveshjeje.

Në tetor, gjykata riktheu tokën tek universiteti. Atlas është në proces të apelimit të këtij vendimi.

Një hulumtim i mëhershëm i REL-it gjeti se anëtarët e familjes së Nazarbaevit kishin në pronësi dhjetëra prona luksoze në një zonë të rëndësishme në Almati dhe në pjesë të tjera të shtetit.

Natyrisht, ata po ashtu kanë në pronësi shumë pallate të mahnitshme në juridiksion të huaj, veçmas në Zvicër dhe Gjermani.

Një prej anëtarëve të familjes së Nazarbaevit që duket se është detyruar që të dorëzojë pronat e tij është Bolat Nazarbaev, vëllai i ish-presidentit.

Më 2 shkurt, partia udhëheqëse Amanat, tha se mbi 300.000 hektarë tokë në pronësi të Bolat Nazarbaevit në rajonin jugor të Zhambilit dhe në Manadistau, u konfiskuan nga Qeveria për shkak të marrëveshjeve të paligjshme. Po ashtu, tokat që janë në pronësi të kompanisë së tij në Almati janë duke u hetuar.

Partia Amanat, që më herët njihej me emrin Nur Otan, është themeluar nga Nursultan Nazarbaev. Kjo parti aktualisht po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 19 marsit.

Kulibaev dhe gruaja e tij, në ndërkohë po përgatiten që të shesin një pjesë të aksioneve të Bankës Halyk, kanë raportuar disa media.

Eurasianet ka shkruar se vendimi i çiftit për të shitur një pjesë të aksioneve “nxiti dilema nëse kjo po bëhej në përgjigje të përpjekjeve të Astanës për të zvogëluar pushtetin e familjarëve të Nazarbaevit ndaj ekonomisë së Kazakistanit” pasi u shtypën trazirat e janarit të vitit 2022.

Çifti Kulibaev – përmes kompanisë së tyre ALMEX – kishin ofruar aksione në shitje të Bankës Halyk edhe më 2019, në vitin kur Toqaev ishte bërë president.

Atëbotë, ALMEX justifikoi vendimin, duke thënë se ishin bërë “disa kërkesa nga komuniteti i investitorëve ndërkombëtarë”./REL