Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Komunës së Malishevës dhe BIRN Kosova, Foto: KALLXO.com
Monitorimi i projektit nga qytetarët, BIRN Kosova nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Komunën e Malishevës
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Komunën e Malishevës për për realizimin e procesit të Auditimit Social në një projekt në këtë komunë.
Me qëllim të rritjes së angazhimit të qytetarëve, rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal në implementimin e projekteve infrastrukturore e mbikëqyrjes qytetare, më 31.07.2024, Komuna e Malishevës dhe BIRN Kosova janë dakorduar t’i hapin rrugë themelimit të ekipit të Auditimit Social.
Ekipi i Auditimit Social është një grup i qytetarëve që do të monitorojë projektin “Rregullimi i shtratit të lumit Mirusha në qendër të qytetit” në vlerë 1,284,472 euro.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e ka vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për Komunën e Malishevës dhe është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me ekipin e Auditimit Social.
Për ngritjen e kapaciteteve, BIRN Kosova do të ofrojë një program trajnimi për qytetarët që do të jenë pjesë e ekipit të Auditimit Social. Për garantimin e një procesi profesional të Auditimit Social, BIRN Kosova do të fasilitojë të gjithë procesin përmes ofrimit të mentorimit profesional dhe asistencës teknike për ekipin e themeluar në Komunën e Malishevës.
BIRN Kosova dhe Demokraci Plus janë angazhuar nga Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në 11 projekte të përgjedhura në Klinë, Malishevë, Gjakovë, Pejë, Obiliq dhe Lipjan. Projektet që do të monitorohen janë përfituar nga komunat përkatëse përmes Grantit të Performancës Komunale.
DEMOS është projekt i cili bashkëfinancohet nga BE-ja, Zvicra dhe Suedia, dhe zbatohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo. Ky projekt mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.
Auditimi Social përkrahet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS). Cikli i tretë i Auditimit Social ka filluar në korrik dhe do të përfundojë në fund të dhjetorit të vitit 2024.