Foto: Monego/Facebook

‘Monego’ udhëzon qytetarët ku mund t'i paguajnë kreditë

Institucioni mikrofinanciar “Monego” nuk do të operojë më në Kosovë pas vendimit të marrë nga Banka Qendrore e Kosovës, për shkak të ankesave të shumta nga klientët për kamatat e larta.

Por tani ky institucion gjendet në procedurë të likuidimit.

Likuidatori i “Monego”-s ka lëshuar një njoftim për klientët që kanë obligime se ku mund t’i paguajnë këstet e kredive.

Sipas njoftimit, klientët pagesat mund t’i bëjnë në këto pika:

-Banka për Biznes (BPB);

-Posta e Kosovës;

-Western Union;

-Vllesa Co.

 

Para pak ditësh dy institucione mikrofinanciare ‘Monego’ dhe ‘Iute Credit’ janë mbyllur nga Banka Qendrore e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i BQK së, Fehmi Mehmeti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

“Bordi i BQK së duke u bazu në kompetenca ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të inicojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit” dhe institucionin financiar jo bankar “Monego”. Gjatë këtyre viteve kanë devijuar nga planet e biznesit”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti ka thënë se në kohën kur këto dy institucione, “Monego” dhe “Iute Credit” kishin aplikuar për licencë në BQK, kishin dorëzuar një plan biznesi nga i cili këto vite ato kanë devijuar vazhdimisht.

Devijimi më shqetësues sipas Mehmetit është norma e lartë e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë qenë shumë më të larta nga ato që i kishin paraparë.