Foto: Monego/Facebook

'Monego' kërkon hapjen e degëve të kompanisë për të mundësuar kthimin e kredive

Aksionari i Institucionit Financiar Jo-Bankar “Monego”, kërkon nga administratori i caktuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Visar Zeneli të sigurojë një raport për veprimet e ndërmarra në javën e parë të mbylljes së këtij institucioni.

Po ashtu, në njoftimin e “Monego”-s thuhet se Zeneli duhet të sigurojë për publikun dhe aksionarin planin e tij të veprimit për këtë javë në mënyrë që të dihet se si do të zbatojë detyrën kryesore të dhënë nga BQK mbledhjen e kredive të papaguara dhe të interesit për kreditorët.

Aksionari i “Monego” kërkon nga Zeneli që menjëherë të hapë degët e kompanisë për t’u mundësuar kthimi i kredive të dhëna. Po ashtu, “Monego” e llogarit si shpenzim shtesë pagesën e kredive përmes llogarive të tjera bankare.

“Mbyllja e degëve do të thotë që klientët nuk janë në gjendje të përmbushin detyrimet e tyre të kredisë, duke shkelur kështu obligimet e tyre kontraktuale. Përveç kësaj, vendimi që klientët të bëjnë pagesa përmes llogarive të tjera bankare, që nuk janë ato të Monego, përbëjnë shpenzime shtesë për klientët e Monego për shkak të pagesës së shpenzimeve shtesë të transaksioneve bankare”, thuhet në njoftimin e “Monego”-s.

Në njoftim thuhet se vendimi i administratorit për të mbyllur degët gjithashtu krijon pasiguri për vendin e punës për 250 punonjës të kompanisë, të cilët janë të nevojshëm për të kryer punët e nevojshme për portofolion ekzistuese të kredisë.

“Monego” ka bërë me dije se aksionari i kompanisë do të përdorë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur interesat e tij ligjore.

Më 6 dhjetor, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur lajmin për mbylljen e ‘Monego’ dhe ‘Iute Credit’. Në këtë konferencë u tha se arsyeja kryesore për revokim të regjistrimit ishin normat e interesit në kredi, të cilat ishin jashtë çdo standardi.

“Devijimi më shqetësues ka të bëj me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë rezultu të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit, dhe me mesataren e normave të tjera të interesit në Kosovë”, ka deklaruar Mehmeti.

Zv.Guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli numëroi edhe arsyet e tjera që ka sjellë deri në marrjen e këtij vendimi të BQK-së.

Bazuar në planin e pagesave të bashkëngjitur te kontratat me klientë është vërtetuar se shpalosja e normës efektive të interesit nuk bëhet në pajtueshmëri me rregulloren e BQK-së për shpalosjen e normës efektive të interesit.

Havolli ka thënë se “Monego” ka përllogaritur koston totale të kredisë dhe në kontratë me klientë ka shpalosur normën efektive të interesit sipas përllogaritjeve sikur të ishte normë nominale e interesit përderisa rregullorja e BQK-së kërkon që në kontratë me klientë të jenë të paraqitura normat efektive të interesit.

Për më shumë, likuidatorët kanë vendosur informatat nëpër degët e institucioneve përkatëse se ku klientët mund t’i paguajnë këstet.

BQK tregon se çfarë ndodhë nëse klientët e ‘Monego’ dhe ‘Iute Credit’ vonohen në kthimin e kredive

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!