Momenti kur shpëtohet një çift nga vërshimet në fshatin Llaushë të Skenderajt (VIDEO)

Skenderaj është në mesin e komunave që është prekur nga reshjet e shiut të cilat shkaktuan vërshime dhe përmbytje.

Për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, janë angazhuar edhe vetë zyrtarët komunal të Skenderajt.

Gjatë ditës së djeshme, u publikua një video në të cilën shihet se drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Alban Berisha dhe zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku kanë ndihmuar në evakuimin e një çifti rreth të 60-ave në fshatin Llaushë.

Video është shpërndarë nga fotografi Brahim Nura në rrjetin social “Facebook”.

Një ditë pas, pamjet nga Skenderaj shfaqin vetura të përmbysura, asfalt të çarë, lokale të demoluara dhe oborre të mbushura me ujë.

Komuna e Skenderajt, ka krijuar 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë të cilët do të dalin në teren menjëherë për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Ndërsa sipas njoftimit edhe disa shërbime komunale nuk do të ofrohen.

Si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme, sot nuk është mbajtur mësimi në shkollat e Skenderajt.

Ndërkohë, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka deklaruar reshjet e shiut me intenzitet të ndryshur, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar 2023.

“Aktualisht situata më e rënduar është në pjesën perendimore, veriperendimore, dhe veriore të vendit, por duke pasur parasyshë reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështërsi edhe në pjesët tjera të vendit” – thuhet në njoftimin e IHMK-së të publikuar në Facebook.