Momenti kur para syve të inspektorit punëtori ngjitet në mënyrë të rrezikshme në katin e dytë

Një aksion i gjerë i Inspektoratit të Punës është ndërmarrë që nga fillimi i muajit shtator të këtij viti në të gjitha objektet ndërtimore të regjionit të Prishtinës.

Cak i inspektimit ishin të gjitha kantieret ndërtimore në komunën e Prishtinës, Lipjanit, Graçanicës dhe Fushë-Kosovës.

Katër ekipe të inspektorëve të punës u vunë në veprim me urdhër të kryeinspektorit, Hekuran Nikçi.

Qëllimi i këtij aksioni ishte vlerësimi i sigurisë në objektet të cilat janë në ndërtim e sipër.

Qysh në ditën e parë të inspektimit në prani të inspektorëve të punës, punëtoret e ndërtimtarisë po punonin pa masa mbrojtëse dhe në mënyrë të rrezikshme.

Mungesa të sinjalizimit, hapësira të rrezikshme të pambuluara, skele të pasigurta dhe punëtorë të papajisur me mjete adekuate të punës, bënë që punimet në biznesin e parë menjëherë të ndërpriten.

Parregullsi të njëjta u hasën në të gjitha kantieret e ndërtimit të cilat u inspektuan në pesë ditët e para të aksionit.

Përpos skeleve dhe mungesës së pajisjeve adekuate të punës, inspektoret konstatuan edhe vendosje të rrezikshme të kabllove elektrike.

Si rezultat i mungesës së sigurisë në vendin e punës, brenda pesë ditëve inspektorët ndërprenë punimet në 20 raste ndërsa në 29 raste të tjera shqiptuan gjoba.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, nga muaji janar e deri në muajin korrik të këtij viti si pasojë e mungesës së sigurisë në vendin e punës kanë humbur jetën 11 persona.

Numri i madh i vdekjeve ka bërë që Inspektorati i Punës të vihet në veprim dhe të inspektojë të gjitha kantieret e ndërtimit në regjionin e Prishtinës.

 

Për 6 muaj vdiqën 11 persona në vendin e punës, Inspektorati i Punës me aksion në sektorin e ndërtimit