Momenti kur inspektorët konstatojnë se makineria pa mbrojtëse rrezikon punëtorët në fabrikë

Rreziku që një punëtor të lëndohet nga hapësira e pambuluar e një makine prodhuese në një fabrikë në rajonin e Gjakovës i ka detyruar inspektorët e punës që të ndërmarrin masa.

Inspektorët e punës urdhëruan që të vendosen menjëherë mburojat në makineritë e prodhimit pasi konstatuan se ka mungesë të sigurisë në hapësirat brenda fabrikës.

Aksioni vjen pasi në fillim të këtij muaji në KALLXO.com ishte paraqitur një ankesë se në kompaninë në fjalë punohet edhe gjatë orëve të natës dhe për punën e bërë nuk ofrohet ndonjë kompensim shtesë siç e përcakton Ligji i Punës.

Ankesa e punëtorit pasi ishte trajtuar nga hulumtuesit e KALLXO.com ishte bartur në Zyrën e Kryeinspektorit të Punës.

Me kërkesë të kryeinspektorit Hekuran Nikçi, udhëheqësja e Inspektoratit të Punës në Gjakovë i ka angazhuar inspektorët për verifikimin e pretendimeve.

Inspektimi në fabrikë konstaton një varg parregullsish.

Siguria në vendin e punës nuk është në nivelin e duhur, makineritë prodhuese nuk kanë manuale të përdorimit, dhe punëtoret nuk marrin sipas rregullave ligjore pushimet të cilat ju takojnë.

Po ashtu inspektimi vërteton edhe ankesën se puna gjatë natës nuk kompensohet me pagesë shtesë siç e ka përcaktuar Ligji i Punës.

Pas përfundimit të kontrollit në terren, inspektorët e punës nisen te pronari i biznesit të cilin e intervistojnë për lëndimin në vendin e punës.

Nga fillimi i vitit, KALLXO.com ka lansuar platformën për raportimin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve.

Mbi 100 raportime janë grumbulluar në javët e para prej kur platforma është lansuar dhe qytetarët kanë mundësinë të raportojnë.

Të drejtat e punëtorëve lidhen me kushtet e punës, kontratat e punës, pushimin e lehonisë, ushqimin, pagën e shumë të drejta që punonjësve që garantohen me Ligjin e Punës dhe kontratat e punës.