Momenti kur inspektorët e ATK-së konstatojnë punëtorë pa kontrata në Drenas dhe Skenderaj

Mosdeklarimi i punëtorëve dhe mospajisja e tyre me kontrata pune akoma vazhdon të jetë një dukuri e shpeshtë në vendin tonë.

Një numër i madh i punëtorëve në sektorin privat vazhdojnë të angazhohen në punë të ndryshme pa qenë të deklaruar askund.

“Puna të cilën ata e kryejnë nuk u figuron askund, nuk u llogaritet përvoje e punës, nuk u paguhen detyrimet tatimore dhe as kontributet pensionale. Përpos këtyre punëtoret nuk kanë mundësi as të ndërmarrin hapat ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në gjykatë”, kështu ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime”, sonte drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Ai u bëri thirrje të gjitha bizneseve që t’i deklarojnë punëtoret e paregjistruar.

Edhe pse 21 vite pas lufte, Kosova akoma po vazhdon të përballet me mosregjistrim të punëtorëve dhe nivel të lartë të informalitet ekonomik i cili në fund po përfundon me të dhëna të pasakta rreth nivelit të papunësisë në vendin tonë.

Dukuri të ndryshme si mosdeklarimi i punëtorëve, mospagimi i kontributeve pensionale, nëndeklarimi i pagave si dhe pagesa e rrogave me para në dorë akoma vazhdojnë të jenë sfidë për Administratën Tatimore të Kosovës.

Për t’i luftuar këto dukuri, pas një raportimi në KALLXO.com,  në rajonin e Skenderajt dhe Drenasit  është zhvilluar një aksion i ATK-së që kishte për qëllim që të verifikonte regjistrimin e punëtorëve.

Si rezultat i këtij aksioni të ATK-së, u konstatua se informacionet e qytetarëve ishin të sakta dhe se në këtë rajon kishte punëtorë pa kontrata pune.

Gjatë aksionit, inspektorët tatimorë i urdhëruan bizneset që brenda ditës t’i regjistronin punëtoret dhe t’i dërgonin kontratat e tyre në sistemin e ATK-së.

“I nderuar, punëtorit duhesh me ia bo një kontratë, në qoftë nevoja edhe si praktikant, po në asnjë mënyrë nuk guxon me punu pa qenë i regjistruar. Unë ta lë këtu një email, të cilën deri në ora 3:00 ma dërgon kontratën e punës për punëtorin”, urdhëroj inspektori Besart Dedinca.

Inspektimi i ATK-së në Drenas dhe Skenderaj përfundoj me zbulimin e disa punonjësve të paregjistruar si dhe u konstatuan shkelje të rënda tatimore si mungesa e librave fiskalë, arkës fiskale dhe mosregjistrimi i biznesit.

Gjatë këtyre viteve të fundit, KALLXO.com është angazhuar në luftimin e ekonomisë joformale në vend.

KALLXO.com në bashkëpunim me qytetarët dhe ATK-në kanë arritur që buxhetit të shtetit t’ia shtojnë mbi 200 mijë euro në buxhet.

Si rezultat i raportimeve të qytetarëve mbi 200 biznese janë zënë duke shkelur rregullat tatimore, mbi 50 punëtorë kanë marrë kontrata pune pasi ishte konstatuar se nuk ishin deklaruar nga punëdhënësi dhe shumë personave ka filluar t’u paguhet Trusti Pensional.

Gjatë kësaj kohe KALLXO.com më përkrahjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, kishte publikuar raportet “Evazioni në punësime”, “Raporti i monitorimit të Integritetit në ATK”, dhe “Integriteti, Disiplina dhe Etika në Administratën Tatimore të Kosovës”.