Momentet kur inspektorët zbulojnë gra pa kontrata të punës - VIDEO

Në Emisionin “Kallxo Përnime” më 12 janar është transmetuar hulumtimi për shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga një kompani që të punësuara ka gra.

Në këtë kompani, Inspektorati i Punës gjen se shumë nga gratë që punojnë aty nuk kanë kontrata të punës.

KALLXO.com ditë më parë kishte pranuar një informatë për shkeljen e të drejtave të punëtorëve dhe Ligjit të Punës nga një kompani në Vushtrri, ndërsa pas vërtetimit të këtij raportimi informohet edhe Inspektorati i Punës.

Dy inspektorë marrin vendimin për të shkuar dhe kryer inspektimin në këtë kompani. Fillmisht inspektorët pasi mbërrijnë në kompani, fillojnë të pyesin punëtorët për kushtet e punës në mënyrë që të mos ndikohen nga pronari i kompanisë.

Disa nga pyetjet e inspektorëve janë se a kanë kontratë pune, a e shfrytëzojnë pushimin vjetor, a paguhen për orët shtesë dhe sigurinë e tyre në vendin e punës. Disa nga punëtorët deklarojnë që përkundër që punojnë tash e disa vite në kompani nuk kanë kontratë pune. Disa pretendojnë se nuk ka shumë kohë që e kanë filluar punën dhe për këtë ende nuk janë pajisur me kontratë.

Pas mbledhjës së këtyre informatave, inspektoret përballin pronarin e kompanisë me të gjeturat. Pronari nuk prezanton as vendimet për pushimet vjetore apo certifikatën për siguri në punë. Madje ai e pranon se të gratë që punojnë aty vetëm një ditë gjatë javës e kanë ditë pushimi, pra 48 orë punë gjatë javës pa kompensim shtesë.

Në objektin e kompanisë nuk ka shenja për dalje emergjente apo bombola për ndaljen e zjarrit.

Inspektorët pas përpilimit të shkresës me shkeljet e gjetura i japin dy ditë kohë pronarit për të prezentuar disa nga dokumentet që ai pretendon se i kishte.

Sipas Ligjit të Punës çdo punëtor duhet të ketë kontratën e punës, ndërsa kompania duhet të paguajë për çdo orë shtesë.