Molliqaj: Veprimet e Kurtit çojnë në izolim
Me një pankartë në të cilën paraqitet “Rrugëtimi i (kryeministrit) Kurtit” nëpër një rrugë që ndahet në dy drejtime, njëra që përfundon me “Izolimin e Kosovës”, e tjera me “Autonominë e Veriut”, aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) kanë zhvilluar një aksion simbolik mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë më 19.09.2024.
Pak minuta pas vendosjes së pankartës, kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj tha se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit “çojnë në izolim” dhe sipas tij rruga e paqes për Kosovën është ripërcaktimi i kufijve.
“Ne jemi kundër çdo vendimi që qeveria e ka marrë dhe absolutisht jemi kundër hapjes së urës në këtë rrugë. Pra nuk kemi ardhë këtu me thanë se ura duhet të hapet. Kemi ardhë me tregu që ura ia ka çelë sytë secilit me kuptu që ky rrugëtim i Kurtit me këtë qasje të Kurtit të çon ose në autonomi, ose në izolim, asnjëra nuk është e mirë për Kosovën”- tha Molliqaj para gazetarëve.
Sipas Molliqajt, pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti, çështja e sovranitetit të Kosovës është “tërhiqe e mos e këput”.
“Ura prapa meje ka qenë simbol i ndarjes së qytetit të Mitrovicës. Pas marrjes së pushtetit nga Qeveria Kurti, kjo i ka marrë tri domethanie të reja. E para, ky është kufiri politik i Kurtit. Të gjithë ata që e kanë menduar ndonjëherë dhe supermen që do të bëjë mrekulli në çështjen e sovranitetit të Kosovës, këtu ka tregu që është brenda konceptit ‘Ngrehe e mos këput’. Jo me çdo kusht, jo me çdo çmim ka dashur ta bashkojë qytetin” – tha Molliqaj.
Molliqaj ka thënë ndër të tjera se i pari i qeverisë mund ta kontrollojë veriun, por nuk mund ta integrojë.
“Nuk mund të ketë sovranitet të pjesshëm. Nuk mund të thuash e mbylli portën e Serbisë, por vendimin për me hapë një urë nuk mundem me ba. Pushteti i Kurtit përvec vendimeve të njëanshme ka tregu që mund të kontrollojë veriun dhe jo ta integrojë”- përfundoi Molliqaj.
Ndryshe, KALLXO.com raportoi se teksa pritej të fillonte aksioni, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka kaluar mbi këtë urë.
Në vendin e ngjarjes janë parë automjete të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.
Aksioni përfundoi rreth orës 13:30 ku Policia e Kosovës largoi pankartën e vendosur mbi Urën e lumit Ibër të vendosur nga Partia Social Demokrate (PSD).