Molliqaj thotë se Vjosa Osmani është e pafuqishme, lavdëron Ramush Haradinajn

Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kandidimi për kryeministre i Vjosa Osmanit nga LDK tregon frikën e partive tjera përball koalicionit AAK- PSD.

Sipas tij, Osmani është edhe e pafuqishme dhe vendimet përsëri do të merren nga të tjerët brenda LDK-së.

“Kandidimi i Vjosa Osmanit për kryeministre nga LDK, shpërfaqë më së miri frikën e partive tjera të mëdha, përballë koalicionit tonë të fitores. Vjosa Osmani, anipse është personalitet i respektuar brenda votuesve të LDK-së, është shumë e pafuqishme. Në radhë të parë, nuk e ka mbështetjen e partisë së saj, e cila para dy viteve e vendosi atë në fund të listës së deputetëve, ndërsa sot vendosi ta kandidojë për kryeministre vetëm për të fituar disa vota. Pra, përderisa Vjosa do të jetë vetëm figurë për elektoratin, vendimet do të vazhdojnë të mirren nga “të fortit” e LDK-së”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.

“Në radhë të dytë, duke pasur parasysh negociatat e pashmangshme me Serbinë, ku kërkohet qëndrueshmëri dhe vendosmëri politike, e dëshmuar kjo nga Kryeministri Haradinaj, Vjosa nuk e paraqet profilin e duhur për të marrë mbi supe përgjegjësi kaq të madhe. Një person që ka pranuar përbuzjen brenda partisë, nuk mund ta udhëheq vendin në negociata me Serbinë”, ka shkruar tutje ai.

Në fund, ish- sekretari organizativ i Vetëvendosjes ka thënë se kandidimi i Osmanit nga LDK për kryeministre e ka përjashtuar Albin Kurtin për t’u bërë kryeministër.

“P.S. Albin Kurti përfundimisht doli jashtë loje nga ky vendim i LDK-së. Iu lut Isa Mustafës në gjunjë për ditë me radhë për ta berë kryeminstër, duke e dëshmuar që për pushtetin e vet personal është i gatshëm t’i harroj të gjitha dallimet politike. Në fund, siç edhe dihej, LDK-ja e përbuzi dhe nuk e pranuan si kandidat. #KoalicioniFitues ?”, thuhet në fund të postimit të tij.