Molliqaj thotë se Frashër Krasniqi dhe Zgjim Hyseni janë arrestuar
Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj ka njoftuar se janë arrestuar nga Policia e Kosovës, Frashër Krasniqi dhe Zgjim Hyseni gjatë një aksioni sot në Prishtinë.
Molliqaj ka njoftuar se aktivistët e PSD-së, janë arrestuar gjatë kohës sa ishin duke e zhvilluar aksionin kundër deklaratës së të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Molliqaj e ka cilësuar këtë arrestim si politik, derisa ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.
Lexoni postimin e plotë të Dardan Molliqajt:
Gjatë aksionit të PSD-së kundër deklaratës së Lajçakut për Asociacionin kundërkushtetues u arrestuan dy aktivistët Zgjim Hyseni dhe Frashër Krasniqi.
Është i papranueshëm zelli i Policisë së Kosovës që të arrestojnë aktivistët politik që shprehin bindjet e tyre përmes aksioneve paqësore. Çdo arrestim i tillë është veçse politik prandaj është i patolerueshëm.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Zgjim Hyseni dhe Frashër Krasniqi.