Molliqaj: Rënia e bllokut A3 dhe A5 të KEK-ut kanë qenë të qëllimshme

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj në një konferencë për media ka folur në lidhje me krizën energjetike në vend.

Molliqaj ka deklaruar se sipas burimeve të tyre, blloku A3 dhe A5 kanë rënë qëllimisht nga sistemi.

“10 ditë më parë kishte rënie të A3 dhe A5 me mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Kërkojmë menjëherë një hetim të organeve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushave, pasi rënia e dy blloqeve përnjëherë duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i.

Sipas tij, nëse diçka e tillë vërtetohet, KEDS në bashkëpunim me qeverinë po tenton të dëmtojë kompaninë publike KEK.

“Nëse vërtetohet se ka qenë veprim me qëllim, i bie që KEDS në bashkëpunim me qeverinë dhe menaxhmentin e ri të KEK-ut  ka pas synim të dëmtojë reputacionin e KEK-ut dhe të thuhet se mungesa e energjisë ka të bëjë më problemet me KEK”, shtoi Molliqaj.

Zhvillim tjetër negativ në Kosovën A, sipas Molliqajt është se për herë të parë menaxhmenti i ri i KEK ka vendosur pushim të detyruar për mbi 10 inxhinierë kryesor të prodhimit, pas kësaj ngjarje.

Molliqaj e sheh si problem edhe negociatat për blerjen e thëngjillit nga Maqedonia e Veriut.

Ai tha se është hera e parë që ministria e ekonomisë merret me një shit blerje të tillë, pa i përfshirë ekspertët.

“Tashmë kanë nisur negociatat në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për shitblerjen e thëngjillit të Kosovës. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë një fond 3 milionë tonë thëngjill me synimin që të jetë 9 milionë tonë. Tashmë është shpallur tenderi për të siguruar një ton për 60 euro. Është hera e parë që Ministria e zhvillimit ekonomik po merret me një marrëveshje të tillë për shitje të thëngjillit pa i përfshirë ekspertet”, shtoi tutje Molliqaj.

Sipas Moliqajt, qeveria duhet të bëjë transparente negociatat për këtë shitblerje.

“Rreth 16 euro për ton është kostoja e transportit dhe nëse ky çmim është i vërtet kemi të bëjmë më 81 milionë diferencë që Maqedonia e Veriut është e gatshme ta blejë nga Kosova. Është e domosdoshme që ministria të bëjë transparente negociatat dhe ne jemi kundër që të ketë një dispkrepancë kaq të madhe mes ofertës për çmimin për njësi të thëngjillit dhe shitjes eventuale,” ka thënë Molliqaj.

Kurse si çështje e tretë Molliqaj theksoj se ajo që i duhet sot Kosovës është që në baza ditore të kemi transparencë në informimin e saktë të qytetarëve të Kosovës, të dihet sa po shpenzohet për orë energji elektrike Kosova, për prodhimin, numrin e megavateve që janë duke u blerë.

Ai potencoi se sipas informative, gjatë natës kur ka më shumë prodhim sesa konsum, duke konsideruar se KEDS po shet energji në vendet tjera.

Molliqaj thekson se në bllokun A gjatë natës prodhon më shumë se që ka nevojë Kosova.