
Nol Nushi Foto: Facebook
Molliqaj: Nol Nushi është arrestuar në kufirin Kosovë - Maqedoni e Veriut
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se sekretari i përgjithshëm kësaj partie, Nol Nushi, është arrestuar në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut, sot, më 15.01.2025.
Përmes një shkrimi në Facebook, Molliqaj nuk ka sqaruar nëse Nushi është arresuar nga Policia e Kosovës apo nga ajo e Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, pengimi dhe më pas arrestimi i Nushit është bërë me qëllim “për t’i lodhur aktivistët”.
“Noli çdo ditë është në Prishtinë, banesë e zyrë. Si u bë që gjetën kufirin për ta penguar e arrestuar? Nga kush ky urdhër? Ky stil arrestimi ka veç një shpjegim: lodhja e aktivistëve. Kjo metodë përherë këtë funksion ka pasur. Nuk bëhet fjalë për këmbënguljen e drejtësisë”- ka shkruar Molliqaj.
Tutje, kryetari i PSD-së ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Nushit, duke thënë se këto veprime janë arbitrare.
“Në ndërkohë që Noli është ndaluar për një rast të vitit 2016, sa ishte aktivist në VV, nuk kemi dëgjuar raste të aktivistëve që janë në VV të jenë ndaluar a penguar. Kërkojmë lirim të menjëhershëm, si dhe hetim të këtyre veprimeve arbitrare”- ka thënë Molliqaj.
KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të konfirmuar arrestimin e Nushit dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare.