Molliqaj nga nesër fton partitë, shoqërinë civile e sindikatat për t'u bërë bashkë kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate nga nesër do të ftojë partitë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave dhe të gjithë personat publikë e jopublikë për të  kundërshtuar vendimin për rritjen e çmimit të rrymës.

“Të shqetësuar me vendimin e ZRrE-së ku çmimi i energjisë elektrike rritet për 100%. Pas disa javësh kundërshtimesh të propozimit të parë, aksione simbolike, konferenca e protestë të fuqishme, qeveria nuk reflektoi”, ka shkruar Mollliqaj.

Tutje, Molliqaj ka thënë se vendimi i ri është pothuajse i njëjtë me të vjetrin.

“Përsëri nuk preken bizneset, dhe përsëri buxheti i republikës dëmtohet me 100 milion euro dhe po ashtu për një pjesë të madhe të qytetarëve rritet fatura në fund të muajit. Në këtë krizë energjetike, të gjithë po humbim, vetëm KEDS dhe KESCO po vazhdon fitimin”, ka thënë ai.

Takimi është paralajmëruar të mbahet më 11 shkurt, në ora 13:00, tek Hotel Grandi.