Dardan Molliqaj - Foto: Facebook/DardanMolliqaj

Molliqaj mbron përfshirjen e të akuzuarve në listat e kandidatëve

Kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD, Dardan Molliqaj, e ka mbrojtur përfshirjen e personave të akuzuar në listën e deputetëve të koalicionit që përfaqëson.

Në ditën kur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka kritikuar përfshirjen e të tillëve në garën për deputetë, Molliqaj e ka quajtur këtë krier të padrejtë.

Ambasadori Kosnett gjatë ditës kishte shtruar pyetjen se si qytetarët mund të marrin seriozisht zotimin e partive për sundim të ligjit në Kosovë kur ata në listat e tyre për deputetë kanë futur njerëz me aktakuza.

Më tej ambasadori Kosnett ka thënë se në listat e partive për deputetë ka persona të dënuar për krime lufte e sulme dhe persona të tjerë me sanksione ndërkombëtare për krime lufte e korrupsion.

“Si mund ta marrin qytetarët seriozisht përkushtimin e deklaruar të partive politike për sundim të ligjit në Kosovë kur listat e shumë partive kanë kandidatë me aktakuza aktive, dënime për vepra të tilla si krime lufte dhe sulme, dhe sanksione ndërkombëtare për krime lufte dhe korrupsion?”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Por në emisionin Rubikon në KTV, Molliqaj është pyetur nëse gjatë negociatave për koalicion parazgjedhor, PSD i ka kërkuar Haradinajt që të mos i përfshijë të akuzuarit në listat e deputetëve.

Dy ish-ministra të Haradinajt që janë zyrtarë të lartë të AAK-së, Pal Lekaj dhe Rrustem Berisha, janë duke u përballur me procese gjyqësore nën dyshimet për keqpëdorime. Një tjetër kandidat i AAK-së për deputet, Ilir Baldedaj, është i dënuar dhe i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Për mua është absolutisht e papranueshme vendosja e kritereve të cilat e paragjykojnë rezultatin e një vendimi gjyqësor. Mua mund të më akuzojë dikush sot dhe nëse më kufizohet hapësira publike për shkak të kësaj, mendoj që është e padrejtë, sepse në fund mundem me dalë i pafajshëm”, tha Molliqaj gjatë debatit.

“Unë besoj që ky diskutim që e bëjnë ndërkombëtarët në Kosovë është i padrejtë, përgjithësisht i paprecedent”, shtoi ai.

Madje Molliqaj ka lënë të kuptohet se i favorizon dënimet e buta në rastet e korrupsionit.

“Paramendoni, me kodin e ri (penal) na kanë sjellë (propozimin) që mos me pasë mundësi mu dënu me gjobë ose dënime alternative për një vepër korruptive. Pra edhe nëse hipotetikisht i ke keqpërdorë vetëm 10 euro, ti duhet të shkosh veç në burg”, tha ai.

“Trajtimi i tillë thua që je një vend i Afrikës, mendoj që është i padrejtë. Për me ecë përpara shoqëria duhet me pasë besim në shoqëri. Janë dy qasje që i keni studiu e shkru dhe e dini më mirë se unë. Janë ata që e shohin rrezikun dhe dojnë me qitë mekanizma me e ndalë rrezikun, dhe janë ata që e bëjnë një kornizë dhe besojnë që shoqëria përparon. Historia njerëzore edhe e Kosovës tregon që përparimi njerëzor, me ndonjë rënie, është përgjithësisht progresiv”, tha Molliqaj.