"Mollëkuqet" nga Gjilani triumfojnë në festivalin "Viva Italia 2020"

Nxënëset e Qendrës Kulturore Artistike “Mollëkuqet” nga Gjilani kanë rrëmbyer çmimet kryesore në festivalin e muzikës “Viva Italia 2020” që po mbahet në Romë.

“Mollëkuqet” gjilanase po përfaqësojnë Kosovën në festival, i cili ka nisur një ditë më parë dhe mbyllet nesër, më 19 shkurt.

Drejtoresha e QKA “Mollëkuqet”, Arta Haziri – Nuhiu, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se vashat nga Gjilani kanë rrëmbyer një sërë çmimesh në këtë festival.

“Mollëkuqet dolën të fituara nga festivali ‘Viva Italia’ në Romë. Trofe, që mezi po i mbanin duart, ‘Mollëkuqet’ dolën faqebardhë nga ky manifestim madhështor”, ka thënë drejtoresha Haziri- Nuhiu

Sipas saj, nxënësja Ilda Nuhiu ka marrë vendin e parë në konkursin ‘Folk Music’, vendin e tretë në  kategorinë ‘Pop Music’, ndërsa në kategorinë Miss, u zgjodh ‘Miss Beauty’.

Ndërsa, Yllza Hasani ka marrë vendin e dytë në kategorinë ‘Pop Music’, ‘Folk Music’, ‘World Hit’ dhe zgjedhur edhe ‘Miss Buzëqeshja’ e festivalit.

Anesa Demaj ka marrë vendin e dytë në ‘Folk Music’ dhe vendet e treta në ‘World Hit’ dhe ‘Pop Music’. Kurse Agnesa Sejdiu ka marrë ‘GRAND PRIX’ dhe dy vendet e para në konkursin ‘Pop Music’ dhe ‘World Hit’.

Edhe nxënësja Klea Dina ka marrë ‘GRAND PRIX’ dhe dy vendet e para në ‘Pop Music’ dhe ‘World Hit’. Edisa Ahmedi ka marrë vendin e dytë në konkursin ‘World Hit’  dhe vendin e dytë në ‘Pop Music’ si dhe ‘Folk Music’. Kurse Lina Demiri ka marrë vendin e parë në  kategorinë ‘Pop Music’ dhe vendin e dytë në ‘World Hit’ si dhe ‘Folk Music’.

Me çmime është shpërblyer edhe artistja nga Shqipëria, Ana Kodra, që në këtë festival fitoi “GRAND PRIX”.

Drejtoresha Haziri- Nuhiu ka thënë se falë këtij suksesi “Mollëkuqet” kanë marrë shumë ftesa për pjesëmarrje në festivale të ndryshme nga shumë vende të botës.