Moldavia mbyll fabrikën ilegale të helikopterëve

Zyra e Prokurorisë së Moldavisë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Rastet Speciale dhe hetuesit nga Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë të martën mbyllën një fabrikë ilegale në zonën Criuleni , pranë lumit Dniester në lindje të vendit, e cila prodhonte kopje të helikopterit “Kamov KA-26” të tipit sovjetik.

“Gjatë  muajve të fundit, policia dokumentoi veprimtarinë e paligjshme të një grupi të organizuar të njerëzve të specializuar në prodhimin e helikopterëve”, tha Ministria e Brendshme në një njoftim për shtyp.

Helikopterët e ndërtuar fshehurazi  ishin gati të eksportoheshin në mënyrë të paligjshme në vendet ish-sovjetike, tha ai.

Kërkimet e kryera të martën zbuluan se kishte mbi dhjetë helikopterë në linjën e prodhimit, në faza të ndryshme të përfundimit.

Shumica e personave që dyshohen të jenë të përfshirë në procesin e prodhimit dhe montimit, përfshirë organizatorët dhe drejtuesit e operacionit të paligjshëm, janë banorë të rajonit separatist Transdnjestrisë.

Të gjithë helikopterët janë prodhuar pa lejet e nevojshme dhe dokumentet e origjinës për pjesët dhe pajisjet e përdorura.

Një çështje penale për përgatitjen e kontrabandës së helikopterëve nga dy ose më shumë persona është iniciuar nga prokurorët. Sipas ligjit të Moldavisë nëse të dyshuarit  shpallen fajtorë,  ata mund të përballen me burg nga tre deri në dhjetë vjet.