Foto: EU NEAR/Twitter

Mogherini e Hahn: Qeverinë e re e pret dialogu me Serbinë

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamnetare në Kosovë, Bashkimi Evropian i ka cilësuar si të qeta dhe të rregullta.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini së bashku me komisionerin, Johannes Hahn në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se qeveria e re është e rëndësishme, pasi duhet të rifillojë punën me shpejtësi për zhvillim ekonomik e shoqëror si dhe dialogun me Serbinë.

“Bashkimi Evropian mezi pret formimin e një qeverie të re sapo të përfundojnë procedurat përkatëse. Kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të mund të rifillojë me shpejtësi punën për reformat në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundimit të ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe mbi Dialogun e lehtësuar nga BE me Beogradin. Ne presim që të gjithë aktorët politikë të qëndrojnë të përkushtuar në këto procese, të cilat janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës, për përparim në rrugën e saj evropiane, dhe më e rëndësishmja për përfitimin e popullit të Kosovës dhe të të gjithë rajonit”, thuhet në deklaratën e tyre.

Mogherini dhe Hahn kanë përmendur edhe vëzhguesit e BE-së në këto zgjedhje.

“Me ftesë të Presidentit të Kosovës dhe duke vazhduar përkushtimin e saj të gjatë për të mbështetur proceset demokratike të Kosovës, BE vendosi një Mision për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (të kryesuar nga Shefja e Misionit të Vëzhguesve të Bashkimit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e parlamentit evropain)”, thuhet tutje.

Ata po ashtu kanë kërkuar që të gjitha parregullësit të trajtohen nga autoritetet.

“Sipas deklaratës paraprake të Misionit të lëshuar sot, zgjedhjet u administruan mirë dhe transparente. Mjedisi i fushatës ishte i gjallë dhe konkurrues në pjesën më të madhe të Kosovës, por dëmtohej nga frikësimi në zonat serbe të Kosovës. Të gjitha parregullsitë e identifikuara duhet të adresohen nga autoritetet”, thuhet në deklaratën e Mogherinit dhe Hahn.

Ata kanë shtuar se në muajt e ardhshëm, Mision Vëzhgues i BE-së do të paraqesë një raport përfundimtar që përmban rekomandime për proceset e ardhshme zgjedhore.

“Do të jetë e nevojshme një ndjekje vendimtare për të adresuar të metat elektorale të gjata. BE pret që të gjitha partitë politike të përfshihen në mënyrë konstruktive në këtë proces, në përputhje me deklaratën e tyre të përbashkët të prillit 2019. BE është e gatshme të vazhdojë të mbështesë këto punime”, thuhet në përfundim.

Sipas votave të rregullta të numëruara në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë  200.953, vota apo 25,51%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 195.534 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 167.402, apo 21.25%.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 90.839 vota apo 11,53%. Koalicioni Nisma-AKR-PD vazhdon të mbetet nën pragun e zgjedhor, pasi ka marrë 38.639 vota apo 4.90%.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.