Hani i Elezit (ilustrim). Foto: Kallxo.com

Modeli i ri-integrimi nga Hani i Elezit

Tre fëmijë që dikur jetonin në një zonë të luftë dhe nuk kishin marrë asnjë mësim në gjuhën shqipe sot janë kyçur në sistemin e mësimit në Han të Elezit dhe vijojnë shkollimin normalisht me bashkëmoshatarët e tyre.

Hani i Elezit është njëra nga shumë komunat e Kosovës e cila nuk arrin të siguroj psikolog të cilët do arrinin të merreshin me problemet e nxënësve mirëpo një angazhim i komunës ka nxitur edukimin e nxënësve dhe ka krijuar siguri për një proces të rregullt mësimor.

Amir Ibushi nga Qendra për Punë sociale në Han të Elezit ka udhëhequr procesin në të cilin nxënësit e rikthyer merrnin trajtim psikologjik krahas procesit mësimor.

“Kemi filluar me vizita familjare, këshillime psiko- sociale, dërgimi në shkollë dhe prapë po vazhdojmë me trajtimin e hap pas hapi të progresit të nxënësve i”, thotë Ibushi.

Menaxhimi i rasteve përfshinte takime midis punëtorëve social dhe mësuesve të cilët do merreshin me nxënësit për tu siguruar që këta të fundi dinë të menaxhojnë situatat e paplanifikuara me nxënësit e rikthyer.

Tre fëmijët që tani ndjekin shkollimin normalisht janë kthyer në Kosovë në tetor të vitit 2018.

Në atëkohë në Han të Elezit nuk kishte asnjë psikolog që punonte në shkolla dhe kishte eksperiencë për të trajtuar traumat e fëmijëve.

Duke ditur këtë informacion komuna angazhoj një psikologe me kontratë mbi vepër e cila u angazhua të merret me fëmijët.

“Forma e cila është aplikuar me këta fëmijë ka qenë trajtimi i tyre, kemi shku në shtëpinë e tyre kemi hy me një dhomë kemi vizatuar, kemi mësuar, i kemi trajtuar psikologjikisht”, tregon Ibushi.

Sipas tij analiza e secilit rast dhe trajtimi individual i secilës çështje ka mundësuar që të kenë sukses në risocializimin e fëmijëve të cilët jetojnë me të afërmit e tyre për shkak se nëna është e vdekur ndërsa babai është në burg.

Drejtori i Shkollës ku mësojnë fëmijët(emri i tij nuk do bëhet publik për shkak të mos identifikimit të shkollës) tregon se në nisje të procesit u deshtën të marrin disa vendime të cilat ishin të rëndësishme për fëmijët. Në fillim drejtuesit e shkollës dhe punëtorët social vendosën që fëmijët do ndiqnin shkollimin tek një mësuese e re pasi mësuesi i cili ishte në radhë ishte afër pensionit dhe rrezikohej që procesi të dështonte.

Tutje mësuesit morën përkrahjen nga psikologja që të zhvillojnë procesin normalisht.

Ajo që sipas drejtorit u bë ndryshe në Hanin e Elezit ishte inkuadrimi direkt në klasë i nxënësve gjë që ndihmoj socializmin e tyre me ambientin dhe shoqërinë.

“Fëmijët kur kanë ardhur kanë qenë në parafillor, nuk kanë ditë gjuhë shqipe, tash fëmijët janë në klasën e dytë, dinë shqip kanë filluar shkrim lexim në gjuhën shqipe, normalisht jo sikurse nxënësit e tjerë”, tregon drejtori.

Për dallim nga Komuna e Hanit të Elezit, në kryeqytet Prishtinë, në kohën kur ishin rikthyer më shumë se 20 fëmijë, shtatë prej tyre ishin vendosur në një klasë të veçantë ku do mësonin së bashku ndërsa grupimi ende nuk është analizuar nëse pati sukses ngjashëm me Hanin e Elezit.

Në Kosovë sfidat e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe procesi i risocializimit dhe ri-integrimit të personave janë të indoktrinuar ka probleme të vazhdueshme përfshirë këtu sistemin arsimor.

Drejtori i shkollës në Han të Elezit rënditë disa sfida që i kanë në menaxhimin e situatës.

Mësuesit e shkollës nuk kanë ndjekur trajnime dhe nuk janë të specializuar për të identifikuar në fazë të hershme radikalizimin e nxënësve. Procesi mësimor në Kosovë nuk është i bazuar në mendimin kritik mirëpo është mësimnxënie klasike e cila nuk provokon kundër- argumentimin.

“Realisht  sepse ne nuk jemi profesionalist, sado që e bisedojmë me mësimdhënësin dhe punëtorin teknik duhet me kuptu që edhe mundemi me gabu sepse nuk jemi profesionalist” thotë drejtori.

Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve te Brendshme në Kosovë janë 74 fëmijë tw rikthyer nw vitin 2019, prej tyre 26 të moshës parashkollorë. Pjesa më e madhe e fëmijëve do te integrohen ne arsim përmes formës se arsimit te përshpejtuar proces ky i cili gjatë kohës së pandemisë ka pasur ngecje për shkak të mbylljes së shkollave dhe mungesave teknike në mësimin nga distanca.