QKMF Qendra - Prishtinë

Modeli i Prishtinës për t’u ofruar qasje personave me aftësi të kufizuara

Investimet mijëra euro të realizuara nga Komuna e Prishtinës e kanë shndërruar Qendrën Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë në një objekt të qasshëm për një pjesë të kategorive të personave me aftësi të kufizuar.

Objekti shëndetësor në qendër të Prishtinës ishte ndërtuar me një arkitekturë të vjetër dhe një model ndërtimi i cili nuk garantonte qasje për personat me aftësi të kufizuar dhe ambiente ku ata mund të kryejnë shërbimet.

Deri pas vitit 2010 pacientët të cilët vizitonin qendrën obligoheshin që kateve të larta të ngjiteshin duke u bartur nga familjarët për shkak se mungonte qasja.

Në Kosovë pjesa më e madhe e institucioneve janë të vendosura në objekte të ndërtuara para luftës të cilat nuk janë ndërtuar sipas stadardeve për të ofruar qasje për përsonat me aftësi të kufizuar. 

Si rrjedhojë në vend ende ka shkolla, qendra mjekësore, spitale apo objekte administrative të cilat nuk përmbushin asnjë standard.

Komuna e Prishtinës ka arritur që deri në një masë të përmbushë qasjen në QKMF-në kryesore të kryeqytetit.

Në hyrje të këtij institucioni primar shëndetësor është e ndërtuar një pjerrinë e cila lehtëson qasjen e pacientetëve për të hyrë brenda. 

Një opsion tjetër është edhe përmes një “ashensori” i cili njihet si rampë hidraulike, i cili ndodhet në mes të shkallëve dhe pjerrinës. Përmes saj, personat me karrocë ose që kanë vështirësi në ecje përmes të cilës munden të ngjiten në katin perdhesë. 

Pjerrina në QKMF në qendër, Prishtinë

Shefja e mjekësisë familjare në QKMF – Qendër, Florie Hyseni Morina ka përshkruar kushtet të cilat i posedon ky institucion. 

“Në kuadër të rrjetit të QKMF-së janë bërë hapa në drejtim të përmisimit të kushteve për vizita konsultuese. Në radhë të parë, nga oborri e kemi pjerrinën deri në katin përdhesë. Përveç pjerrinës, është edhe një lloj ashensori të jashtëm që kush don mos me u ngjit në pjerrinë, mund me aktivizim qoftë me karrocë ose që është i palevizëshëm direkt prej lartësisë së oborrit në katin përdhesë” – ka thënë Hyseni-Morina. 

Pjerrina dhe ashensori në QKMF

Më të hyrë në objekt, ndodhet një tabelë shenjëzim e cila orienton tek lifti kryesor që jep qasje në gjithë katet. 

“Kur arrinë në katin përdhese atëherë është ashensori për ngjitje për kate të sipërme i cili është funksional vazhdimisht” – tregon mjekja familjare. 

“Normalisht që dojnë mirëmbajtje [ashensorët], por janë funksional. Edhe nëse ka ndonjë defekt, vjen ekipa e cila është përgjegjëse për riparim” – shtoi ajo.

Përveç këtij lifti, mjekja Florie Hyseni Morina tregon se kjo Qendër ka edhe tualete të posaçme për personat me aftësi të kufizuara. 

Tualeti i dedikuar për personat me aftësi të kufizuar

“Po ashtu kemi edhe tualetin për persona me afësit të kufizuar edhe pse është në renovim pasi dihet se jemi ende duke e renovuar objektin, pjesë-pjesë, njëherë mjekësia familjare, mandej departamentet tjera, administrata, kështu që mendoj se janë kushtet optimale për të realizuar një vizitë mjekësorë për pacientëtë që janë me nevoja të veçanta” – tha për KALLXO.com  Hyseni- Morina.

Një shembull tjetër është edhe në objektet e Komunës së Prishtinës që për herë të parë në tetor të vitit 2022 janë bërë sipërfaqe taktile. Kjo mundëson qasje më të lehtë të lëvizjes për komunitetin e të verberëve deri tek sportelet për  të kryer shërbimet komunale.

Pllakat taktile në objektin e Komunës së Prishtinës, Foto: Përparim Rama tetor 2022

Por mangësitë në krijimin e kushteve për personat me nevoja të veçanta janë të pashmangshme për t’u parë. 

Në parkingjet e Prishtinës mungojnë shenjëzimet për veturat e personave me aftësi të kufizuar, dhe në ato që janë, shfrytëzohen nga qytetarët e tjerë. 

Në oborrin e QKMF-së Qendra nuk ka shenjëzim të parkingjeve për veturat e personave me aftësi të kufizuar.

Si në institucionet tjera, ashtu edhe në këtë qendër, sfidë e personave të verbër është se nuk ka ashensor i cili është akustik ose numrat të jenë të shënuar edhe në Braille. Kjo vështirëson edhe transportin e tyre dhe shkuarjen në katin e duhur. 

Gjithashtu, personave me aftësi të kufizuar u mohohen të drejtat më elementare, përfshirë edhe të drejtën në punësim. Bazuar në kornizën ligjore në Kosovë, së paku çdo i pesëdhjeti i punësuar duhet të jetë person me aftësi të kufizuara, ose 2% e të punësuarve në ndërmarrje.

Por të dhënat tregojnë se 13 ose 0.36 për qind, e personave me aftësi të kufizuar janë të punësuar në institucionet komunale të Prishtinës, Që i bjen se nevojitet të pesëfishohet një shifër. 

Tash e disa vite në QKMF-në në qendër të Prishtinës është e punësuar një grua, e cila ka problem me të pamurit. Ajo punon në administratë të këtij institucioni. 

Kujdesi parësor në Prishtinë numëron një QKMF dhe 15 QMF dhe 15 ambulanta. 

Sinjalizimet dhe shenjëzimet e parkingjeve për personat me nevoja të vecanta mungojnë në shumicën e instiucioneve primare shëndetësore. 

Ndërkaq, sipas drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bujar Gashi në Qmf 6 në Kodrën e Diellit ka ashensor pasi është tri kateshe, ndërsa shumica e QMF-ve janë një kateshe dhe se ato janë në të gjitha qendrat ku eshte e nevojshme.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtijes dhe Dhunës në baza Gjinore”. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi ATRC, IKS dhe D4D dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian’.