Shkolla fillore dhe e mesme e ulët ''Hilmi Rakovica'' në Prishtinë, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Model: Si trajtohen mungesat në shkollën e Prishtinës?

Shkolla Fillore “Hilmi Rakovica” në Prishtinë ka ndërtuar një sistem për trajtimin e sjelljeve të dyshimta të nxënësve.

Duke përdorur sistemin e menaxhimit informativ SMIA shkolla arrin të identifikojë mungesat e nxënësve dhe shprehitë e dëmshme të tyre.

Sistemi tashmë është testuar në disa raste ndërsa menaxhmenti i shkollës përmend raste kur arritën të kuptojnë abuzim të fëmijëve nga prindërit e tyre dhe mungesa të paarsyeshme në shkollë.

Zylë Osmani është zëvendësdrejtoreshë në këtë shkollë. Ajo ka menaxhuar një rast kur sistemi kishte sinjalizuar që një nxënëse mund të kishte probleme.

“Fillimisht e kemi identifiku problemin, e kemi thirrur prindin në shkollë dhe kemi konstatuar se familja kishte probleme të vështira ekonomike dhe sërish kemi pranuar edhe informacione shtesë se nxënësja po përkujdesej për familjarët e saj kur prindi i saj shkonte në punë”, tregon Osmani.

Sipas saj, rastet kur nxënësit mungojnë në shkollë për shkak se prindërit e tyre janë në punë kërkojnë trajtim më të thellë institucional ndërsa është shumë e vështirë që të identifikohen shkaktarët e këtyre mungesave.

“Nxënësja e ka dashtë shumë lëndën e artit dhe kemi vendosur që së bashku me mësuesen e artit me trajtu rastin dhe pas një kohe vajza filloi me reagu, me tregu se me çfarë probleme po ballafaqohet dhe pse nuk ka vijuar mësimin”, shton tutje zëvendësdrejtoresha.

Përveç aktiviteteve në shkollë, Osmani tregon se në rast ishte involvuar edhe psikologia e shkollës duke mbajtur seanca me nxënësen në mënyrë që e njëjta pasi ishte në moshë të mitur të kuptojë rëndësinë e shkollimit dhe vijimin e mësimit.

“Pas këtyre veprimeve, kemi lajmëru edhe instancat e tjera që kanë qenë të preferueshme me u lajmëru. Ne e kemi evidentu si rast. Kemi diskutuar me javë të tëra për këtë rast, jemi angazhuar thuajse e gjithë shkolla për gati 1 vit për me trajtu dhe me ardhë në një përfundim që vajza me u rikthy në shkollë dhe me viju procesin mësimor në mënyrë të rregullt”, shpjegon Osmani procesin e trajtimit të rastit.

Për të njëjtin rast siç tregon Osmani është lajmëruar edhe Qendra për Punë Sociale në Prishtinë. Kjo për faktin se vajza ishte e mitur dhe me anë të seancave është trajtuar edhe prindi i saj.

“Kjo e fundit (QPS) është inkuadruar kur e kemi vërejtur që problemi nuk është te nxënësja por te prindi i saj. Po besoj që QPS është marrë edhe me çështjen e prindit për të kërkuar sqarime dhe për të gjetur zgjidhje për këtë çështje”, thotë Osmani.

“Pas informimit që e kemi bërë edhe në Qendrën për Punë Sociale vajza është stabilizuar por pas një kohe ajo ka bërë transfer në një shkollë tjetër”, vazhdon të tregojë Osmani për rastin.

Sipas zëvendësdrejtoreshës trekëndëshi nxënës, mësimdhënës dhe prind është i rëndësishëm në trajtimet e rasteve kur fëmijët kanë ndonjë shprehi të dhunës apo ndonjë shprehi negative të cilën e manifestojnë në shkollë.

“Kemi pasur disa raste kur nxënësit kanë treguar shprehi të dhunës apo shprehi negative por janë trajtuar të gjitha rastet dhe janë njoftuar të gjitha instancat që duhet të njoftohen”, tregon zëvendësdrejtoresha Osmani.

Një ngjarje tjetër të cilën e shpjegon Osmani është edhe trajtimi i një rasti të një nxënësi në klasë të tetë.

Sipas Osmanit, nxënësi në disa raste kishte dëmtuar edhe gjësende në shkollë ndërsa ngjashëm sikurse rasti i parë, trajtimi kishte marrë thuajse një vit.

Për rastin e dytë, Osmani thotë se disa herë janë lajmëruar edhe organet e rendit, pra Policia e Kosovës, por edhe Qendra për Punë Sociale.

“Aq ka qenë agresiv pati filluar që të dëmtojë gjëra në shkollë, ka mujtë me thy dritaren, derën. E kemi ftu në takim me bisedu me të e kemi ftu edhe prindin, kemi pasur bashkëpunim tepër të mirë me prindin e nxënësit”, tregon Osmani.

Ajo shton se nxënësi ishte bërë pjesë e disa aktiviteteve në shkollë, madje pikënisja e trajtimit ishte duke i dhënë një pozitë në shkollë.

Ai do të bëhej kryetar i klasës dhe detyra e tij ishte që të mbajë rend dhe qetësi me shokët e shoqet e bankës.

“Na ka funksionu shumë bashkëpunimi pasi që e kemi motivu, e kemi involvu në disa aktivitete që kanë ndikuar për të mirë. Nga një nxënës vështirë i menaxhueshëm dhe jo i mirë në mësime në klasën e nëntë ai ka qenë jashtëzakonisht i mrekullueshëm”, tregon Osmani përvojën e saj në menaxhimin e rasteve kur fëmijët e nxënësit manifestojnë shprehi negative brenda objekteve shkollore.

Osmani tregon edhe se cilat institucione janë involvuar në trajtimin e këtij rasti.

“Këtu kemi shkuar më gjatë sepse ka qenë rasti i vështirë. Ka qenë sigurisht shkolla, menaxhmenti, psikologia e shkollës, kanë qenë QPS, kanë qenë edhe Policia në disa raste për shkak të sjelljeve jo të mira”, thotë ajo.

Sipas zëvendësdrejtoreshës aktivitetet që ndërmerren për nxënësit u mundësojnë atyre që të lirojnë energjinë dhe të fokusohen në atë për çfarë janë angazhuar.

“Ne shkojmë edhe nëpër klasë dhe kërkojmë mendimin e tyre se në çka kanë dëshirë që të involvohen, në cilat aktivitete, në mënyrë që ta bëjmë strategjinë me aktivitete që ju pëlqejnë. U ofrojmë mundësi të ndryshme, secili mësimdhënës është i angazhuar. Kemi marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të organizatave të ndryshme që janë dhe me përfitu nga ata”, tregon Osmani.

Për Osmanin, ka shumë rëndësi që menaxhmenti i shkollës të dijë si të reagojë në raste kur nxënësit shprehin ndonjë dukuri negative apo kanë ndonjë shprehi dhune të cilën e shfaqin në shkollë.

“Sinqerisht është jashtëzakonisht e rëndësishme që menaxhmenti i shkollës të jetë i involvuar dhe të dijë se si të trajtojë raste të ndryshme. Fatmirësisht në shkollë e kemi që në momentin e parë që shfaqet një problem mundohemi me ndërmarrë menjëherë masa dhe me e trajtu, mos me neglizhu asnjë rast”, tregon ajo.

Madje vetë Osmani tregon se në vitin 2019 kur ishin rikthyer më shumë se 70 fëmijë nga zonat e konfliktit, tre prej tyre ishte përfolur se do të mbanin procesin mësimor në shkollën “Hilmi Rakovica”.

“Menjëherë jemi taku, i kemi marrë masat, kemi diskutu se si duhet me i trajtu fëmijët. Filluan me marrë informacione se si duhet trajtuar fëmijët, nuk kemi pasur ndonjë mësimdhënës që ka hezituar që të punojë me këta fëmijë, jemi mundu sigurisht që edhe ata janë sikurse të gjithë tjerët”, tregon tutje Osmani deri sa shton se për shkak të rrethanave dhe situatës fëmijët kishin filluar shkollimin në një shkollë tjetër.