Ballkoni i mediave, Foto: Kuvendi i Kosovës

Mocioni pa media: Gazetarët nuk mund të vendosen në sallën plenare

Në bazë të vendimit të Kryesisë së Kuvendit, të datës 24 mars 2020, për të vënë në dispozicion të deputetëve të gjithë hapësirën e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë edhe ballkonin, Kuvendi i Kosovës ka shprehur keqardhje të njoftojë mediat se prezenca e tyre në seancën plenare të datës 25 mars 2020, do të jetë e pamundur.

Kësisoj, seanca do të transmetohet në tri platforma.

“Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju njoftojmë se Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance, nëpërmjet: Ueb faqes së Kuvendit, Kanalit zyrtar të Kuvendit në Youtube, si dhe RTK-së, si medium publik”, thuhet në njoftim.

Pas një vrulli të reagimeve, me gjendjen nën masa kufizuese për shkak të coronavirusit, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në ora 11:00 për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë, në ditën e 52-të të kësaj të fundit në pushtet.

Në sallën plenare të Kuvendit deputetët pritet të zënë vend në të gjitha hapësirat, përfshirë ato të mysafirëve e të mediave, në përpjekje për distancë sociale, si masë parandaluese ndaj virusit Covid – 19.

Përkundër presionit qytetar e ndërkombëtar që një gjë e tillë të mos ndodhë në këto rrethana, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur mëse e vendosur që ta çojë deri në fund qëllimin e saj për ta rrëzuar ekzekutivin në krye me Albin Kurtin, pjesë e së cilës është edhe vet, për më shumë se një muaj e gjysmë.

Qeveria Kurti sot pritet të sfidohet me votë mosbesimi