Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi konsultohen mes tyre | Foto: KALLXO.com

Mocioni 2017- Mocioni 2020: Përfundime të ndryshme të skenarit të njëjtë

Gjykata Kushtetuese të enjten pasdite nxori vendimin mbi kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër të ri të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e saj ka shkruar se nuk ka gjetur asnjë shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit të vendit me vendimin për të dekretuar një kandidat që nuk është propozuar nga partia apo koalicioni fitues i zgjedhjeve.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i hap rrugë krijimit të Qeverisë nga ana e Avdullah Hoti.

Në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, të arsyetuar përmes 36 pikave, në shumë prej tyre flitet për kompetencën e Presidentit për ta shpërndarë Kuvendin.

Në arsyetimin e 12-të të vendimin të Gjykatës Kushtetuese thuhet se në analizën e kushtetutave të tjera, Presidenti vendosë për ta shpërndarë Kuvendin vetëm kur të jenë shtjerrë mundësitë.

“Në të gjitha këto vende, vetëm atëherë kur të jenë shteruar të gjitha mundësitë kushtetuese për zgjedhjen e një Qeverie të re, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme”, thuhet në mes tjerash në arsyetimin numër të 12 të Gjykatës Kushtetuese.

Në arsyetimin me numër rendor 8, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, thuhet se mundësia që Presidenti e ka në kompetencat e veta për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet nga Presidenti në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e popullit.

“Mundësia e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e Kuvendit, por duhet të ushtrohet në bashkërendim me vullnetin e shumicës së nevojshme të përfaqësuesve të popullit të përfaqësuar në Kuvend”, thuhet në mes tjerash në këtë arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mirëpo, në maj të 2017, Presidenti i vendit kishte vendosur që ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës në po të njëjtën ditë që ishte kryer suksesshëm mocioni për rrëzimin e Qeverisë së Isa Mustafës.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa, që ishte thirrur në atë kohë nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kishte rezultuar i suksesshëm në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Nga 115 deputetë të pranishëm në seancën e 10 majit të 2017, me 78 vota PËR, 34 KUNDËR e 3 abstenime, Kuvendi e kishte rrëzuar qeverinë e Isa Mustafës.

Mirëpo, po atë ditë, disa orë më vonë, Presidenti i vendit kishte nxjerrë dekretin për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

“…duke marrë parasysh Vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 05 – V – 465, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 10 maj 2017, nxjerrë dekret: 1) Shpërndahet legjislatura e pestë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe 2) Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thuhet në dekretin presidentit Thaçi të nxjerrë më 10 maj 2017.

Dekreti i Presidentit për shpërndarjen e legjislaturës së pestë

KALLXO.com ka kontaktuar me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, në legjislaturën e pestë, Zenun Pajaziti për të pyetur se cilat kanë qenë hapat që janë ndërmarrë pas votimit për rrëzimin e Qeverisë, nëse ka pasur konsultim mes partive politike dhe Presidentit për të ndërmarrjen e hapave të ardhshëm pas mocionit të mosbesimit.

“Për besë unë nuk kam ndonjë ide e as nuk kam pasur ndonjë takim me presidentin, e as nuk di që ka pasur ndonjë takim me presidentin. Për kryetarin e partisë (Kadri Veselin), nuk e di nëse është takuar”, tha shkurtimisht Pajaziti për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar t’i kontaktojë shefat e grupeve parlamentare të legjislaturës së pestë, mirëpo ata nuk janë përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Në lidhje me këtë çështje janë kontaktuar, Ismet Beqiri nga LDK, Glauk Konjufca nga LVV, Pal Lekaj nga AAK dhe Valdete Bajrami nga Nisma.

Në një intervistë dhënë për Televizionin Klan Kosova, më 21 maj të këtij viti kishte deklaruar se nuk është presidenti ai që e shpërndanë Kuvendin e Kosovës.

“Të jemi të qartë, Presidenti i vendit nuk është ai që e shpërndan Kuvendin. Kuvendin e shpërbëjnë vetëm deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e lira”, kishte deklaruar Thaçi gjatë kësaj interviste.

Në po këtë intervistë, Presidenti kishte deklaruar se në 2017, ka pasur vullnet nga spektri politik që të shpërndahet Kuvendi.

“Sikur që ka qenë vullnetshëm nga spektri politik i Kosovës edhe në vitin 2017 që të shkohet në shpërndarje të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi gjatë kësaj interviste.

Në arkivin e Kuvendit të Kosovës nuk gjendet online ndonjë vendim i kuvendit të Kosovës me numër “Nr. 05 – V – 465”, të cilit presidenti Thaçi iu kishte referuar kur kishte vendosur ta shpërndante Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com ka nisur pyetje në Kuvendin e Kosovës për të marrë vendimin në fjalë dhe korrespondencat e Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës në lidhje me dekretin në fjalë.

Në një përgjigje të kthyer për KALLXO.com, sekretaria e Kuvendit ka njoftuar se dokumenti në fjalë është i arkivuar dhe se të hënën mund të marrim përgjigje.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në reagimin e tij të parë pas vendimin të Gjykatës Kushtetuese, ka përmendur se në 2010 dhe 2017, kur ka pasur rrëzime të Qeverisë, Kuvendi është shpërnarë në mënyrë automatike.

“Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi sot se janë duke pritur publikimin e plotë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj të fillojnë me procedurat për thirrjen e seancës ku do të votohet për të nominuarin e tyre për kryeministër, Avdullah Hotin.

Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi për Avdullah Hotin