MMPHI me apel për shoferët

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka apeluar të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor për shkak të kushteve atmosferike, reshjeve dhe ngricave.

Kjo Ministri ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që nëpër të gjitha rrugët e Republikës së Kosovës, të kenë me vete pajisjet dimërore në automjetet e tyre si: gomat e dimrit dhe zinxhirët përkatës.

“Veçanërisht për drejtuesit e automjeteve, kërkohet: Të përshtatin shpejtësinë në bazë të kushteve atmosferike dhe të mbajnë distancën e duhur në mes automjeteve”, thuhet në njoftim.

Kompanitë e kontraktuara nga MMPHI, janë të furnizuara me kripë sipas kontratave si dhe pajisjet për pastrimin e borës. Ministria premton se do të bëjnë të pamundurën, për pastrimin e rrugëve, në mënyrë që të ketë qarkullim normal të automjeteve.