MMPH hap tender për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza në Koretin

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga Qeveria në largim, Fatmir Matoshi,  ka njoftuar se kjo ministri sot ha hapur tender për ndërtimin e kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza në Koretin.

Sipas Matoshit ky projekt pritet të ketë vlerën prej 900 mijë eurosh dhe pritet të rregullojë problemin e kanalizimeve të Kamenicës, Berivojcës e Koretinit, të cilat derdhen në lumin Krivareka.

Publikimi i plotë i Matoshit:

Përmes aktivistit dhe bashkatdhetarit të respektuar koretinas z. Fazli Rexha, sot e kumtova lajmin e madh për shpalljen e tenderit për realizimin e projektit të ndërtimit të Kolektorit të ujërave të zeza nga Berivojca nëpër Koretin në vlerë 900.000 euro. Para disa ditësh banorët e Koretinit kanë protestuar për gjendjen e rëndë të shkaktuar si pasojë e derdhjes së kanalizimeve të Kamenicës, Berivojcës e Koretinit në Lumin Krivareka, pas kësaj situate kam pranuar edhe disa kërkesa nga banorët duke e veçuar një kërkesë publike të z. Alban Klaiqi dhe po ashtu edhe nga Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati në lidhje me këtë problem.  Pas shumë angazhimeve kemi arritur që në një afat rekord të hartojmë projektin dhe ta shpallim procedurën e prokurimit për ta zgjidhur këtë problem. Uroj banorët e Koretinit, dhe po ashtu jemi në rrugë të mirë që të sigurojmë fondet për projektin e madh të Impiantit të trajtimit të ujërave të zeza dhe kolekorëve deri te Dheu i Bardhë nga të dy anët e Kamenicës, si nga ana e Kamenicës po ashtu edhe nga Hogoshi e Karaqeva”, ka shkruar Matoshi.