Ilustrim

MMPH hap tender mbi 2 milionësh me procedurë të përshpejtuar për efiçencë të energjisë në komuna

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor ka hapur tender për ‘Zbatimi i masave të Efiçencës së Energjisë në ndriçim publik në 23 komuna’.

Sipas dosjes së tenderit, MMPH ka planifikuar që për këtë tender të shpenzojë 2 milionë e 375 mijë e 294 euro.

Tenderi është hapur dje dhe operatorët e interesuar mund të dërgojnë ofertat e tyre deri më datën 26 mars të këtij viti.

Ky tender do të zhvillohet me procedurë të hapur të ofertimit.

Po ashtu sipas dosjes së tenderit, qëllimi specifik është të ulen kostot financiare në ndriçim publik me zbatimin e masave të efiçencës së energjisë.

Sipas dosjes, kjo do të bëhet duke arritur të inkorporohen më mirë në sistem imputet me efiçencë të lartë të energjisë për kursim të energjisë deri në 70%, duke zbatuar Udhëzimit Administrativ (MEA) Nr. 03 2020 për përdorimin e produkteve që rrjedhë nga ligji për Efiçiencën e Energjisë.

Sipas Ministrisë së Ambientit, me zbatimin e projektit Operatori Ekonomik duhet ta bëj furnizimin dhe montimin e te gjitha produkteve sipas paramasës dhe përllogarisë sipas kërkesave të komunave.

Kjo kontratë do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh.

Në dosjen e tenderit është dhënë edhe një arsyetim se pse është bërë ky tender me procedurë të përshpejtuar.

“Me kërkesë të njësisë kërkuese është bërë afat i shkurtuar i dorëzimit të ofertave. Meqenëse projekti në fjalë do të jetë me bashkëfinancim me komuna dhe jemi përballë pandemisë COVID-19, ku buxheti i donatorëve të komunave do të duhet të kryhet brenda vitit fiskal, kërkohet që projekti të zhvillohet me procedura të përshpejtuara”, thuhet në dosje.

Sipas ministrisë, me këtë projekt do të ketë kursim të buxhetit komunal rreth 3,314,141.60 euro në vit. Më tej në dokumentacion thuhet se ky projekt do të kontribuon edhe në arritjen e cakut prej 11% për kursim të energjisë që Republika e Kosovës është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.