Mllefi i qytetarëve ndaj vendimit të Gjykatës për rastin ‘Pronto’

Sot Gjykata ka vendosur që bisedat e telefonatave të përgjuara në rastin “Pronto” të mos dëgjohen gjatë seancave.

Gjykata e përbërë prej trupit gjykues me kryetar Shashivar Hoti dhe anëtarët Beqir Kalludra dhe Shadije Gërguri ka vendosur të mos dëgjohen inçizimet e “Pronto”-s në Gjykatë me arsyetimin se kjo bëhet me qëllim të racionalizimit të procedurës.

KALLXO.com ka raportuar sot gjatë ditës për këtë vendim të Gjykatës dhe mllefi i qytetarëve në komentet që i kanë shkruar poshtë lajmin është i madh.

Këtu mund t’i lexoni të gjitha komentet.

Ndërsa më poshtë KALLXO.com sjell disa prej komenteve që qytetarët i kanë shkruar poshtë lajmit të dhënë.

Njëri nga qytetarët në komentin e tij thotë se janë dy gjëra që nuk është vonë për t’i lënë.

“Cigaren edhe Kosoven kurr nuk osht von me lan”, ka shkruar njëri nga komentuesit.

Ndërsa një qytetar tjetër, vendimin e Gjykatës e kishte lidhur me fushatën e kandidatit të PDK-së për kryeministër, i cili po flet për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Pritni mos po vjen Kadrija me luftu krimin”, ka shkruar një qytetar tjetër.

Ndërsa një tjetër e sfidon Kadri Veselin që ta luftojë korrupsionin që nga tash.

Dikush tjetër pyet se “Kush po thotë që ka Gjykatë?”.

Ndërsa një komentues tjetër ka ironizuar me dënimet me kusht.

“Dmth i merr te korruptuarit, i dergon ne gjykate dhe ua ngreh veshin gjykatesve me pase kujdes mos me shqyrtu asnje prove dhe denimi maksimal me qene 6 muaj me kusht. Qelu toke!”, ka shkruar qytetari i dëshpruar.

Gjykata dorëzohet sërish para Adem Grabovcit, vendos të mos dëgjohen inçizimet e ‘Pronto’-s