Çarshia e Madhe në Gjakovë. Foto: MKRS

MKRS: Punimet në ‘Çarshinë e Vjetër’ të Gjakovës janë në kundërshtim me Trashëgiminë Kulturore

Ministria e Kulturës ka konsideruar se punimet në ‘Çarshinë e Vjetër’ të nisura nga Komuna e Gjakovës, janë në kundërshtim me Trashëgiminë Kulturore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga kjo Ministri është thënë se kanë kërkuar nga Komuna e Gjakovës, rishqyrtim të projektit në fjalë.

Ministria e Kulturës ka thënë se Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka marrë vendim që të aprovojë pjesërisht si të bazuara, pretendimet nga pala që është ankuar dhe sipas përgjigjes, lënda e kontestuar do të kthehet në rishqyrtim.

“Në arsyetimin e vendimit konstatohet se projekti të kthehet në rishqyrtim, kur bëhet fjalë për materialin e përdorur në shtresën e sipërme të tërë gjatësisë së rrugës në Çarshinë e Madhe në Gjakovë. Komisioni po ashtu konstaton se materiali i propozuar në projekt, pllakat e granitit, nuk përputhen me materialin origjinal, as në dimension e as në autenticitetin burimor, e cila ka qenë e shtruar në kalldrëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë, për KALLXO.com.

“Pra, kjo gjë nuk është në përfillje me kërkesat dhe standardet e mishëruara në Ligjin për Trashëgimi Kulturore, aktet nënligjore dhe standardet teknike profesionale në fuqi”.

Çarshia e Madhe. Foto: KALLXO.com/Zgjim Sefa

Me datë 22 shtator, pasi ishin pezulluar punimet për këtë projekt, Komuna e Gjakovës përmes një komunikate kishte thënë se ka marrë leje nga Komisioni përkatës në Ministrinë e Kulturës, për të kryer projektin.

Gjithnjë sipas Komunës, më vonë pas fillimit të punimeve, i njëjti Komision ka kërkuar që të pezullohen ato.

“Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga Ministria e Kulturës, që t’i shohë me urgjencë se kush janë ekspertët që kanë kërkuar të pezullohen punimet. Në bazë të informatave, personat në fjalë nuk janë ekspertë fare, por janë njerëz politikë të cilët sot qëllim kryesor e kanë fushatën zgjedhore dhe nuk kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve, atë të bizneseve dhe as rregullimin përfundimtar të qendrës historike në Gjakovë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Komuna e Gjakovës me datë 29 prill 2021 ka nënshkruar kontratë me grupin e operatorëve ekonomik ‘Niva Construcsion’ dhe ‘Beni Construcsion’, për sanimin e rrugëve ‘Ismajl Qemaili’ dhe ‘Sylejman Hadum Aga’ në ‘Çarshinë e Vjetër’ me pllaka graniti. Vlera totale e projektit është 279 mijë e 503 euro.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjakovës në lidhje me çështjen në fjalë, por deri në publikimin e shkrimit, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.