MKRS-ja ndan 700 mijë euro për projektet kulturore për 2020-ën

Fiks 700 mijë euro do të jetë shuma e përgjithshme që Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka paraparë të ndajë këtë vit për mbështetje të projekteve kulturore-artistike të skenës së pavarur kulturore.

MKRS tashmë ka hapur edhe konkursin për mbështetje të aktiviteteve kulturor0-artistike të skenës së pavarur për vitin 2020.

Sipas thirrjes së MKRS të drejtë pjesëmarrje për të përfituar nga fondet publike për realizimin e projekteve të tyre kanë OJQ-të, por edhe individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës, promovimit kulturor, por edhe që u plotësojnë kriteret e konkursit- thirrjes së MKRS, së cilës i janë bashkangjitur edhe një sërë dokumentesh që duhet t’i plotësojnë apo t’i kenë parasysh OJQ-të dhe individët që synojnë mbështetjen e ministrisë.

MKRS ka konfirmuar për Kallxo.com se shuma e përgjithshme që do të ndahet këtë vit për mbështetje të projekteve të skenës së pavarur do të jetë 700,000.00 euro.

“Shuma e përgjithshme që do të jetë 700 mijë euro. Shuma e mbështetjes financiare për projektet e OJQ-ve mund të jetë maksimum deri në 20,000.00 euro, kurse shuma e mbështetjes financiare për projektet e individëve mund të jetë maksimum deri në 5,000.00 euro”, thuhet në përgjigjen e MKRS për Kallxo.com.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve nga OJQ dhe individët që duhan të përfitojnë fondet publike përfundon me datën 17 shkurt 2020.  OJQ-të dhe Individët mund të aplikojnë vetëm me një (1) projekt në kuadër të kësaj ftese publike. Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 31 dhjetor 2020.

Shuma prej 700 mijë euro që MKRS ka ndarë për mbështetjet të projekteve kulturore për 2020 është dukshëm më e vogël në krahasim me shumë financiarë që ministria kishte ndarë dy vite më parë.

Vitin e kaluar MKRS kishte vënë në dispozicione të skenës së pavarur kulturore afërsish një milion euro, kurse në 2108 rreth 1.5 milion euro.