MKRS investon 4 milionë euro për Qendrën Multifunksionale në Ferizaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Ferizajt kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale në Ferizaj.

Përmes një komunikate, MKRS njofton se për këtë projekt kapital do të investohen mbi 4 milionë euro të ndara në 3 vite, 2019 deri 2021.

Ministri Kujtim Gashi ka pohuar se ky është projekti i parë në Kosovë i kësaj natyre. Ai tha se do të ndërtohet një qendër me shumë funksione, për të organizuar koncerte, ngjarje e takime të ndryshme kulturore e të rinisë.

“Është projekti i parë në Republikën e Kosovës. Është një projekt i cili ngërthen në vete hapësira të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, në mesin e të cilëve do të ketë edhe një sallë prej 840 ulëseve, pastaj hapësira për galeri si dhe pjesë e qendrës do të jetë edhe muzeu i qytetit si dhe sallat koncertale e teatrale”, citohet të ketë thënë ministri Gashi.

Gjatë takimit me kreun e Ferizajt, ministri ka përmendur edhe bashkëpunimin e deritashëm që MKRS-ja ka pasur me Komunën e Ferizajt dhe punën që po behët nga Komuna për të shtyrë përpara projektet që siç ka thënë ministri Gashi, janë në dobi të Ferizajt me rrethinë, duke thënë se në qytetin e Ferizajt planifikohen që për tri vitet e ardhshme të investohen mbi 10 milionë euro.

Ndërkaq, sipas komunikatës së MKRS, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, citohet të ketë thënë se  nënshkrimi i këtij memorandum ka rëndësi të shumëfishtë për qytetarët dhe Komunën që ai drejton.

“Ajo që e bën të veçantë ditën e sotshme dhe në përgjithësi mbështetjen e projekteve që janë bërë nga ministri Gashi është se sot kemi nënshkruar një projekt unik për Ferizajn, Qendrën Multifunksionale”, citohet të ketë thënë Aliu.