Vlora Dumoshi. Foto: MKRS

MKRS e dërgon në qeveri Projektligjin për rininë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka proceduar për miratim në Qeverinë e Kosovës Projektligjin për rininë.

Dërgimi në qeveri i projektligjit për rininë, është konfirmuar nga vetë ministrja e MKRS-së Vlora Dumoshi, gjatë ceremonisë së ndarjes së mirënjohjeve për vullnetarët e vitit, e mbajtur gjatë ditës së sotme.

“Dje unë e kam nënshkruar dhe proceduar për në Qeverinë e Kosovës projektligjin për rininë, për të cilin është punuar me grupe të ndryshme. Në projektligjin për të rinjtë është zëri juaj, atë që e keni kërkuar, së pari moshën, të cilën e kemi zgjatur deri në 29 vjeç, por edhe është potencuar puna vullnetare e cila duhet të vijë në konsideratë”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi pret që projektligji për rininë të kalojë në qeveri e pastaj të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.