Nënshkrimi i marrëveshjes mes MKRS-së dhe RTK-së. Foto: Facebook/Hajrulla Çeku.

MKRS dhe RTK nënshkruajnë marrëveshje për themelimin e një kanali për kulturë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka bërë të ditur se ka nënshkruar sot një marrëveshje me Besnik Boletinin, kryesues i bordit drejtues të Radiotelevizionit të Kosovës, për themelimi e një kanali të RTK-së për kulturë.

Përmes një postimi në Facebook, Çeku ka potencuar se ky kanal do t’i dedikohet ekskluzivisht kulturës, mbulimit të programit të institucioneve, organizmit të festivaleve, etj.

“Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës nga sot nisin një bashkëpunim afatgjatë për të mirën e kulturës në vendin tonë. Ndër zotimet kryesore të marrëveshjes pesë vjeçare që nënshkruam sot është themelimi i kanalit të RTK-së kushtuar ekskluzivisht kulturës, organizimi i festivalit të këngës, fuqizimi i kapacitetit orkestral të RTK-së, mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe përcjellja e ngjarjeve të kalendarit vjetor kulturor” – ka shkruar Çeku në Facebook.

Çeku ka postuar edhe fotografi nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes.