Çarshia e Madhe. Foto: KALLXO.com/Zgjim Sefa

MKRS dhe Komuna e Gjakovës përplasen për punimet në “Çarshinë e Madhe” në Gjakovë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pezulluar punimet në Çarshinë e Madhe në Gjakovë.

MKRS ka bërë të ditur se pezullimi ka ardhur pas shqetësimeve të ngritura nga profesionistë e qytetarë për punime që janë duke u bërë atje.

Ndaj vendimit për pezullimin e punimeve ka reaguar Komuna e Gjakovës, përmes një postimi në Facebook.

Sipas MKRS, ndërhyrjet e planifikuara në “Çarshinë e Madhe” të Gjakovës, pas shqetësimeve të ngritura nga profesionistë e qytetarë, janë pezulluar në mënyrë që të bëhet një rivlerësim.

“Ky pezullim nuk nënkupton që MKRS kundërshton zhvillimet. Përkundrazi ne jemi të përkushtuar që zhvillimet e zonave historike, të ngrisin kualitetin jetësor të qytetarëve duke rritur potencialin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përmes promovimit të identitetit kulturor”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Por, për Komunën e Gjakovës, pezullimi i punimeve është i paarsyeshëm dhe i marr, sipas saj, pas sugjerimeve nga persona jo kompetent.

“Komuna e Gjakovës, konsideron se ky është rast eklatant i dëmtimit serioz të buxhetit komunal, veçanërisht i bizneseve komunale dhe rrjedhës së projekteve në komunën tonë. Kërkojmë nga MKRS që t’i shohë me urgjencë se kush janë ekspertët që kanë kërkuar të pezullohen punimet. Në bazë të informatave, personat në fjalë nuk janë ekspertë fare, por janë njerëz politikë të cilët sot qëllim kryesor e kanë fushatën zgjedhore dhe nuk kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve, atë të bizneseve dhe as rregullimin përfundimtar të qendrës historike në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.

Punimet në “Çarshinë e Madhe” kanë nisur dy javë më parë.