MKRS dërgon libra në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dërguar një donacion prej 135 tituj librash në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky donacion i MKRS-së për FSK-në bëhet në kuadër të projekti të Ministrisë për të furnizuar me libra të rinj  bibliotekat kosovare.

Ky donacion është dorëzuar gjatë ditës së sotme nga vetë ministri i MKRS, Kujtim Gashi gjatë një vizite të bërë në FSK-në, me ç’rast është pritur nga gjenerali i FSK-së, Enver Cikaqi.

Përmes një njoftimi për media, MKRS bënë të ditur se ministri Gashi ka dorëzuar për bibliotekën e FSK një donacion prej 135 tituj librash të blera nga MKRS-ja.

Më këtë rast, ministri Gashi ka thënë se furnizimi i bibliotekës së FSK-së me libra të rinj bëhet në kuadër të iniciativës së Ministrisë për t’i furnizuar bibliotekat e komunave me libra.

“Furnizimi me libra nëpër biblioteka të komunave të Kosovës si dhe jashtë territorit të Kosovës është një program i rëndësishëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti dhe në kuadër të këtij programi ne po dhurojmë në çdo bibliotekë nga 135 tituj, të cilët janë më të kërkuar nga publiku kohën e fundit”, ka thënë ministri Gashi.

Ndërsa, po sipas komunikatës së MKRS, gjenerali Enver Cikaqi ka veçuar rëndësinë e këtij donacion dhe interesimin e pjesëtarëve të FSK-së për leximin e librave.

“Këta tituj do t’i ndihmojnë shumë pjesëtarët tanë për formësimin dhe avancimin profesional dhe njëkohësisht do ta kemi një bibliotekë më të begatshme”, është shprehur gjeneral Cikaqi.