Foto: Facebook/ Fitim Selimi

Mjeku nga Lipjani Fitim Selimi ftohet nga Gjykata Speciale

Gjykata Speciale i ka dërguar ftesë për intervistim në cilësinë e të dyshuarit edhe doktorit nga Lipjani, Fitim Selimi.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Fitimi Selimi, i cili ka thënë që këtë ftesë për intervisitim e ka marrë për angazhimin e tij në UÇK.

“Sot mora ftesë nga zyra e Prokurorit Special, për tu paraqitur në këtë organ në cilësinë e të dyshuarit për veprimtarinë time në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndonëse përherë e gjallë, sot më fuqishëm më është rikthyer ndjenja e krenarisë për këtë periudhë më të ndritshme të jetës time”, ka shkruar Selimi në Facebook.

Selimi ka thënë që shërbimi i tij në UÇK ka qenë kulmi i realizimit të identitetit personal për të cilin ka thënë që nuk do ta ndryshojë asnjëherë.

“Fare mos të dyshojë askush dhe i siguroj Unë të gjithë ata që duan të dijnë, që në rrethanat e mos përmbushjes dhe mosrealizimit të popullit e vendit tim me të drejta e liri, me kushtrimin për luftën për çlirim, angazhimi dhe veprimi im me shokët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte kulmi i realizimit të identitetit tim personal, familjar e kombëtar dhe veprimi im më i ndërgjegjshëm të cilit nuk do t’ i ndryshoja asnjëherë asnjë moment dhe asnjë detal”, ka theksuar ai.

Dje Gjykata Speciale i ka dërguar ftesë për intervisitim në cilësinë e të dyshuarit edhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët. Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë. Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.