Qendra për të moshuar Orenda. Foto: KALLXO.com

Mjeku në qendrën ku ndodhi sulmi: E moshuara është në gjendje të mirë, e kanë marrë familjarët e saj

Mjeku në qendrën e të moshuarve ‘Orenda’, Islam Musaj, ka thënë se e moshuara ndaj të cilës është ushtruar dhunë në këtë qendër është në gjendje të mirë.

Musaj ka bërë të ditur se ajo është larguar nga kjo qendër, me familjarët e saj.

“Gjendja është e mirë, kanë qenë familjarët e saj dhe e kanë marrë. Munden familjarët e saj me u deklaru, sepse ajo jo” – ka thënë Musaj.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë të moshuar tjetër që është larguar nga kjo qendër për shkak të rastit që ka ndodhur.

“Nuk ka të tjeerë që janë largu momentalisht, të gjithë janë këtu. Qendra ka kamera, por do ta analizojmë këtë pjesë” – tha Musaj.

“Njëra nga të dyshuarat ka kërku të hanën me lanë punën nën arsyetimin për avancim në studime. Sot ka qenë e liruar nga puna, ka pasur pushim”.

Sipas tij, infermierja e cila shihet duke ushtruar dhunë ka pasur kontratë të punës e cila skadon në fund të këtij viti.

Në ndërkohë deri më tash janë arrestuar tri të dyshuara në rastin e dhunës në qendrën e të moshuarve ‘Orenda’, në Pejë, kurse zyrtarisht Prokuroria e Shtetit është duke e hetuar rastin.

Anton Rasaj, njëri nga pronarët e qendrës së të moshuarve ‘Orenda’, ku ndodhi sulmi ndaj një të moshuare, është deklaruar në lidhje me rastin, duke thënë se ngjarja e ka lënë “pa fjalë dhe plotë mllef’.

 

Dhuna ndaj të moshuarës, deklarohet njëri nga pronarët e qendrës së të moshuarve ‘Orenda’