Mjeku ligjor që mendonte ndryshe për vdekjen e Astrit Deharit denoncon frikësimin nga ministrja e PDK-së

Eksperti mjekoligjor, Besim Latifaj, i cili duke ardhur nga Londra kishte tentuar të japë kontributin e tij në rastin Dehari, përmes një postimi në Facebook, është deklaruar duke treguar frikën e tij se do ta ketë fajin e njëjtë sikurse Dehari.

Ai në këtë postim ka treguar ngjarjen se si ka ardhur nga Londra që të jap kontributin e tij për rastin Dehari, por që raportin e tij, prokurorët e hodhën në mbeturina.

“Frikësohesha se do te kem fatin e njëjtë si A.D. Prokurorët e hodhën raportin tonë në koshin e mbeturinave. Vdekja e një të riut dhe kolegut tim të ardhshëm  me shtyu që të vijë nga Londra që të jap një kontribut të vogël për ndriçimin e këtij rasti enigmatik. Nuk isha atje se kisha afërsi me ndonjë parti politike, pasi qe nuk me intereson  se kush është në pushtet në Kosovë”, ka shkruar Latifaj.

Ai në këtë postim ka përmendur edhe Naim Halitin, i cili ishte njëri nga mjekët ligjor në raportin e vdekjes së Astrit Deharit.

“Një tjetër arsye e ardhjes ishte pasi që një familjare ime kishte pësuar një aksident të rëndë – ishte shtypur nga vetura në vitin 2011 dhe ka mbetur e paralizuar, e njëri nga mjeket ligjorë në Prishtinë që ishte anëtar i ekipës qe bëri autopsinë e A.D. Për më tepër ky “profesor” ishte dekan një kohë. Në “ekspertizën” e tij kishte dalë me konkluzion se kinse Blerta Halimi, mbesa ime kishte lëndime të lehta trupore. Për Naim Halitin paralizimi qenka lëndim i lehtë trupor. Kur u thirrëm në sallën e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë prokurori në pika të shkurtëra dha një sinteze të deklaratave të dëshmitarëve në rastin e vdekjes së A.D”, ka shkruar Latifaj.

Ai tutje ka shkruar për insistim e tij që të merren deklarata më përmbajtjesore, pasi që sipas tij ato që i kishte lexuar prokurori ishin shumë sipërfaqësore.

“Duke pasur përvojë të madhe në kryerjen e autopsive në Angli (ku i kam kryer së paku 8000 raste) për mua ishte fare e qartë se ky është rast shume i dyshimtë. Kontaktova me Dr.Besim Ymaj dhe e shkruam raportin të cilin Prokurorët e hodhën në shportën e mbeturinave”, ka shkruar Latifaj.

Ai tutje ka bërë të ditur se përveç se raport i tij i bërë me mjekun Besim Ymaj, u hodh në mbeturina, u kërcënuan edhe për ndjekje penale.

“Për gati 3 vite unë nuk guxoja të vija në Kosove nga frika se do të burgosem edhe unë dhe do ta pësoja të njëjtin fat si Astriti. Tre vite të humbura vështirë kompensohen pasi që njerëzit harrojnë, dhe hetimet nuk janë efektive…kështu që zbardhja e rastit të A.D duket të jetë shumë e vështirë”, ka shkruar Latifaj.

Ai në këtë postim ka përmendur edhe ish ministren, Dhurata Hoxha nga e cila pretendon se u shantazhua pas që e njëjta i ka dhënë urdhër prokurorisë që të ndiqen penalisht.

“Ne u shtantazhuam nga ministrja Dhurata Hoxha qe i kishte dhënë urdhër prokurorisë qe ne të ndiqemi penalisht, gjë që të shtyn të mendosh se edhe ajo ka gisht në planin për fshehjen e fakteve. E njëjta Prokurori na e kishte dhënë autorizimin për të marrë pjesë në autopsi, e tani donte të na mbyllte gojën .A thua Prokuroria do të ndjekë penalisht mjekët zviceran”, ka shkruar Latifaj.

Me 20 dhjetor të vitit 2016, KALLXO.com kishte raportuar për letrën që ish ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ia kishte dërguar  kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, ku kishte kërkuar që të kryhen hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Tomë Gashit, avokatit të familjes Dehari dhe ekspertëve Besim Ymaj dhe Besim Latifaj.

Hoxha Kërkon Hetim të Tomë Gashit për Shpërdorim Detyre

Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës në Zvicër në ekspertizën mbi vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ka dhënë komentet se pse vdekja e Deharit ka pak mundësi të jetë vetëvrasje.

“Në rastin e z.Dehari, nëse e pranojmë hipotezën e vetëvrasjes, të dy metodat do të ishin përdorur në mënyrë sekuenciale, e para ka të bëjë me përdorimin e një objekti të mprehtë në pjesën e qafës dhe të kyçit të majtë dhe e dyta ka të bëjë me ngufatjen e llojit smithering me një shishe të plastikës. Megjithatë kjo hipotezë duket pak e mundshme për arsyet e më poshtme”, thuhet në raportin e Institutit zviceran.

Hipotezën e vetëvrasjes në rastin e Deharit, Instituti e ka vlerësuar si pak të mundshme për tri arsye të ndryshme.

“Së pari, lëndimet cervikale dhe të kyçit ishin shumë sipërfaqësore, që nuk tregonin përcaktime të vërteta të aktit vetëvrasës, e dyta, teoria e vetëvrasjes komplekse të paplanifikuara që ka dëshiruar z.Dehari, duke parë këtë tentativë të pasuksesshme, e zgjedh metodën e dytë të vetëvrasjes më vdekjeprurëse, çfarë nuk ishte rasti, si e tretë, kjo lloj vetëvrasje kryesisht haset tek pacientët psikiatrikë pra që z.Dehari nuk paraqiste asnjë paraardhje psikiatrike dhe nuk paraqiste shenja të depresionit”, vazhdon raporti i Institutit zviceran mbi vdekjen e Deharit.