Mjeku kujdestar jep detaje për aksidentin me fatalitet në Ferizaj

Mjeku kujdestar në QKMF-në e Ferizajt, Bajram Ajeti, në një prononcim për RTV Dukagjinin ka dhënë detaje për aksidentin e rëndë ku humbën jetën katër persona në fshatin Koshare të Ferizajt.

Ajeti ka deklaruar se një person rreth të 20-ave kishte pësuar lëndime të rënda, ka pasur fraktura të shumta që janë rikuperuar në QKMF-në në Ferizaj por që është dërguar në gjendje stabile në QKUK – Prishtinë.

“Pas orës 15:30 kemi marrë informatën nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një aksident i rëndë në fshatin Koshare. Në vendngjarje kemi hasur me një aksident ku janë të përfshira dy vetura. Në njërën veturë, Golf 2, kanë qenë pesë persona dhe në veturën tjetër të tipit Audi kanë qenë 2 persona. Aty në vendin e ngjarjes kemi marrë një person me lëndime të rënda dhe kemi konstatuar vdekjen e katër personave tjerë. Që të gjithë kanë qenë në veturën e tipit Golf 2”, tha ai.

Ai njoftoi se personat në veturën Audi kanë marrë lëndime pak më të lehta dhe u është dhënë ndihma në QKMF-në e Ferizajt e më pas thotë se janë liruar në shtëpi.

“Ndërsa për katër të tjerë është bërë konfirmimi për vdekje aty në vend të ngjarjes. Një person i gjinisë mashkullore rreth moshës 40 vjeçare, një fëmijë rreth moshës 12-vjeçare, dhe dy gra, njëra e moshës rreth 60-vjeçare dhe një tjetër rreth moshës 30-vjeçare. Personi i pestë që është transportuar në QKUK ka qenë rreth 20-vjeçar dhe ka pasur fraktura të shumta dhe po ashtu lëndime të shumta që janë rikuperuar në QKMF dhe është dërguar në gjendje stabile në QKUK – Prishtinë”, deklaroi Ajeti.

Policia e Ferizajt ka konfirmuar sot gjatë ditës se se viktimat nga ky aksident janë : N.R., 39-vjeçar (drejtues i automjetit), Xh.R., 60-vjeçare , S.R. 32-vjeçare dhe Y.R. 12-vjeçar.

“Deri te aksidenti i komunikacionit, dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Audi me targa vendore, e drejtuar nga E.M ( M/SHK/) 22 vjeçar po qarkullonte, nga drejtimi i Ferizajt në drejtim të Shtimes dhe me të arritur në fshatin Koshare, për shkaqe ende të panjohura, kalon në anën tjetër të lëvizjes dhe ndeshet me automjetin VW Golf me targa vendore, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt , nga Shtimja në drejtim të Ferizajt”, thuhet në komunikatën e forcave të rendit.

Ndërkaq, janë lënduar edhe 3 personna të tjerë: I.R, 32-vjeçare, e cila është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë, e cila ishte pasagjere në automjetin VW Golf.

Dhe të lënduarit tjerë, Y.H. 21-vjeçar dhe L.H. 21-vjeçar, të cilët ishin pasagjerë në automjetin Audi, të njëjtit, pasi kanë marrë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj janë liruar.

“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor – Ferizaj , i ka  marr të gjitha masat e nevojshme për hetimin e rastit , në koordinim edhe me Prokurorin e Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i cili ka dalur në vendin e aksidentit. Me vendim të tij, trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari ( drejtuesi i automjetit Audi ) E.M, ndalohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet tutje në komunikatën e Policisë së Ferizajt.