Mjekja kujdestare në QKUK jep detaje për gjendjen e të plagosurve nga Skenderaj

Mjekja kujdestare në QKUK, Dafina Basholli, në një prononcim të drejtpërdrejt për KALLXO.com, ka bërë të ditur se gjendja e të plagosurve nga incidenti me armë zjarri në Skenderaj, është stabile.

Pasditen e sotme në fshatin Baks të Skenderajt, pas një mosmarrëveshje ka mbetur një person i vrarë dhe dy të plagosur.

Basholli bëri të ditur se të plagosurit janë dërguar rreth orës 20:20 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilët janë të moshës mesatare.

“Njëri ishte i lënduar në regjionin e majtë, gjendja e tij është stabile. Pas ekzaminimeve radiologjike jemi duke e bërë përpunimin e plagëve, edhe do të ndalet në klinikën abdominale për observim të gjendjes së më tutjeshme. Ndërsa rasti tjetër është më i ri, edhe ai është pranuar në të njejtën kohë. Është i lënduar në regjionin formal bilateral, në regjionin e këmbëve i plagosur me plagë tejshpuese me armë zjarri, i cili gjendjen e ka stabile. Edhe ai është duke u përpunuar me plagët dhe do të observohet në Klinikën e Ortopedisë”, ka thënë Basholli.

Në anën tjetër, sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të plagosurit në Skenderaj po konsiderohet si i dyshuar për vrasjen e cila ndodhi në orët e mbrëmjes së sotme.

Vrasja në Skenderaj: një i vdekur, dy të plagosur dhe një i arrestuar