Mjekët viktima të coronavirusit

Deri më tani në Kosovë kanë vdekur 5 mjekë, si pasojë e virusit COVID-19.

Sylejman Rexhepi, Ali Tolaj, Fadil Zuka, Lulzim Kolgjeraj e Kujtim Zarari, janë mjekët të cilët e kanë humbur betejën me virusin COVID-19.

Mjeku i parë që ka humbur betejën është Fadil Zuka, mjek familjar. Ai i takonte gjeneratës së mjekëve të cilët ishin të persekutuar nga regjimi serb. Në kohët më të vështira kishte shërbyer në Ambulantën e Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, pastaj në Pozheran.

Sylejman Rexhepi, mjek internist, remautolog vdiq me 22 korrik. Ai gjatë gjatë periudhës 2002-2003 udhëhoqi studimet pasdiplomike për reumatologji me rehabilitim fizikal. Ishte anëtar i komisionit recensues në dy libra universitar. Ka marrë pjesë në shumë kongrese e simpoziume dhe ka publikuar disa punime shkencore si autor dhe koautor.

Në të njejtën ditë, me 22 korrik, vdiq edhe Ali Tolaj, po ashtu i infektuar me COVID-19. Që nga viti 1996 ka shërbyer si Kirug në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, ndërsa gjatë luftës ka shërbyer në ndihmë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ditën e djeshme ka vdekur një tjetër mjek. Lulzim Kolgjeraj, 56 vjeçar, mjek familjar, i cili gjithashtu e humbi betejën me COVID-19.

Ai i ka shërbyer shëndetësisë primare në Prizren për rreth tri dekada dhe ka qenë specialist i mjekësisë familjare në QMF në Gjonaj.

Ndërsa ditën e sotme, ka vdekur mjeku i pestë nga COVID-19. 51 vjeçari, Kujtim Zarari, drejtor i QKMF-së në Gjakovë ka vdekur si pasojë e virusit corona. Ai ishte gjithashtu anëtar i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës.

Deri më tani në Kosovë në total janë infektuar 8,104, janë shëruar 4,463 pacientë dhe kanë vdekur 212, ku vetëm sot janë shënuar 16 vdekje.