“Ne po e marrim natën”, kanë thënë protestueset. Foto: Jeet Snagupta - BBC
Mjekët vazhdojnë protestat e grevat pas dhunimit dhe vrasjes së koleges në Indi
Mijëra specializantë të mjekësisë kanë refuzuar të hënën t’u japin fund protestave pas dhunimit dhe vrasjes së një kolege, duke shkaktuar kaos shërbimesh pas pakënaqësisë kombëtare të nisur një javë më parë. Ata po kërkojnë hetim penal të rastit dhe përmirësim të theksuar të sigurisë në punë, shkruan Reuters.
Mjekët në mbarë Indinë kanë mbajtur protesta dhe kanë refuzuar t’i kontrollonin pacientët që nuk ishin raste emergjente pas 9 gushtit, kur u raportua për dhunimin dhe vrasjen e një specializante 31-vjeçare, për të cilën policia thotë se ishte dhunuar dhe vrarë në një spital në qytetin lindor Kalkuta, ku po kryente praktikën e specializimit.
Një polic vullnetar është arrestuar dhe është akuzuar për krimin. Aktivistet e të drejtave të grave thonë se incidenti ka vënë në pah edhe njëherë sesi gratë në Indi vazhdojnë të përballen me dhunë seksuale pavarësisht ligjeve të ashpra pas dhunimit në grup dhe vrasjes së një studenteje 23-vjeçare më 2012 në një autobus në lëvizje në Delhi.
Qeveria u ka bërë thirrje mjekëve që të kthehen në vendet e punës, derisa ka krijuar një komision për të nxjerrë masa për të përmirësuar sigurinë për profesionistët shëndetësorë
Përfaqësuesit e mjekëve kolegjit mjekësor RG KAR, ku ndodhi dhunimi dhe vrasja në Kalkutë, kanë vërë të ditur se greva do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e mjekëve dhe infermiereve.
Në shenjë solidariteti me mjekët dhe mjeket, mijëra mbështetës të dy klubeve më të mëdha të futbollit në shtetin indus të Bengalit Perëndimor kanë marshuar gjithashtu rrugëve të Kalkutës të dielën mbrëma me britmat “Kërkojmë drejtësi”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com