Foto: Ilustrim

Mjekët specializantë rreth 30% janë të pakënaqur me mentorët e tyre

Organizata e Studentëve të Mjekësisë së Kosovës – KOMS në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës ka organizuar një pyetësorë për mjekët të cilët aktualisht janë në shkollim specialistik.

Ky pyetësor ka treguar se 82,8 përqind e mjekëve janë përgjigjur se nuk janë mbajtur ligjërata në kuadër të shkollimit specialistik përderisa 17.2 për qind janë përgjigjur se janë mbajtur ligjëratat.

Ndërsa në pyetjen nëse kanë mbajtur konsultime me mentorët e tyre specializantët janë përgjigjur se  50.40 përqind e tyre nuk kanë mbajtë konsultime përderisa 49.60 për qind e mjekëve të tjerë janë përgjigjur me po.

28.1 përqind e mjekëve janë shprehur të pakënaqur me angazhimin e mentorit apo mentorës së tyre përderisa 25.8 përqind janë shprehur të kënaqur.

“Përgjigjen, “aspak”, më së shumti e kanë dhënë specializantët e gjinekologjisë dhe pediatrisë, ndërsa me përgjigjen, “shumë”, kryesisht janë përgjigjur specializantët e dermatologjisë dhe anesteziologjisë”, thuhet në pyetësorin e organizatës.

Sa i përketë pjesë së kënaqshmërisë së specializantëve në punën praktike, përgjigjet pozitive kanë qenë më të larta në krahasim, 25.8% e tyre janë përgjigjur si shumë të kënaqur.

Me vlerën “aspak të kënaqur” janë përgjigjur specializantët e dermatologjisë dhe pediatrisë ndërsa me vlerën “shumë të kënaqur” më tepër janë përgjigjur specializantët e anesteziologjisë dhe  gjinekologjisë.

Në anën tjetër, 30.5 përqind e specializantëve janë përgjigjur me “aspak të kënaqur” sa i përketë kushteve të punës nëpër klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa 11.7% janë shprehur të kënaqur.

“Me përgjigjen “aspak” janë përgjigjur kryesisht specializantët e pediatrisë, dermatologjisë dhe kirurgjisë, ndërsa me “shumë” e kanë vlerësuar kryesisht specializantët e anesteziologjisë”, thuhet në publikimin e Odës së Mjekëve.

Për rotacionin klinik jashtë vendit shumica e specializantëve e kanë parë të nevojshme. Në këtë pyetje 97.70% janë përgjigjur me po, ndërsa 0.80 janë përgjigjur me jo.

75% e respondentëve e kanë konsideruar që rotacioni klinik që rekomandohet të mbahet jashtë vendit të jetë më i gjatë se tre muaj.

Në pyetësorë poashtu bëhet e ditur se nga mostra e përzgjedhur 53.9 përqind  i takojnë gjinisë femërore, ndërsa 46.1 përqind të respondentëve janë të gjinisë mashkullore.
Mësimi praktik është pika më e fortë e shkollimit  specialistik.

Rekomandimet në fund të pyetësorit:

1.Hapja e specializimeve në raport me kërkesat e vendit për fusha të caktuara, dhe angazhimi i doktorëve të rinj në QMF apo Klinika deri në marrjen e specializimeve;

2.Të arrihet marrëveshja me Fakultetin e Mjekësisë për organizmin e ligjëratave në kuadër të shkollimit specialistik;

3.Fillimi i specializimeve të përputhet me fillmin e vitit akademik;

4.Të rritet llogaridhënia e mentorëve tek organet kompetente në lidhje me mbajtjen e ligjëratave dhe takimet e tyre me specializantët;

5.Përditësimi i plan- programit të specializimeve në përputhje me plan- programet e reja bashkëkohore në botë;

6. Të shtohet numri i testimeve të specializantëve në përputhje me plan- programin në mënyrë që ai të përmbushet në tërësi;

7.Të evaluhohet kënaqshmëria e specilizantëve çdo vit;

8.Të avokohet për përmirësim të kushteve të punës;

9.Të mbahet mbledhje me mentorët e klinikave me kënaqshmëri më të ulët të specializantëve;

10. Të shyrtohen mundësi të rotacioneve klinike jashtë vendit për së paku 6 muaj.