Foto: Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Facebook

Mjekët nga Turqia do të kryejnë 46 intervenime kardiokirurgjike në QKUK

16 fëmijë me probleme në zemër do të operohen në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës nga një ekip mjekësh e ekspertësh nga Turqia.

30 intervenime të tjera kardiokirugjike do të bëhen në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ky ekip do të bëjë edhe 30 intervenime, përfshirë koronografi, stentime dhe raste elektrofiziologjike.

Ky ekip u mirëprit nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili dhe Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Elvir Azizi.

“Ekipi i mjekëve po qëndron në Kosovë në bashkëpunim dhe mbështetje të organizatës Muntada Aid, z.Kabir Miah, kurse koordinimin punës e ka bërë dr. Ramush Bejiqi” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Më tej në njoftim thuhet se Alper Guzeltas, ka folur në emër të ekspertëve dhe është shprehur i nderuar që është udhëheqës i ekipit dhe që ka mundësi të kontribuojë për fëmijët e Kosovës.

Vitia ka falënderuar ambasadorin turk dhe ekspertët nga Turqia për kontributin e tyre të vazhdueshëm për shëndetësinë kosovare.